Lajçak dhe Escobar po qëndrojnë në Kosovë për takime me liderët e vendit, ku pas takimit me kryeminsitrin Kurti dhe Presidenten Osmani janë takuar edhe me zv.kryeministrin e parë për për integrim evropian, zhvillim dhe dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
I dërguari Special i BE-së për dialog, Miroslav Lajcak, së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar janë takuar ndaras me Bislimin ku kanë folur për çështje të ndryshme e për të cilat ky i fundit ka shkruar në Facebook.
“Sot mirëprita në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka treguar se mbarëvajtja e procesit të dialogut ka qenë ndër pikat kyçe në takim. Ai bëri të ditur se në takim është potencuar rëndësia e pacënueshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.
“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të fokusit të takimit dhe temave të diskutimit. Riktheksova se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. U potencua pacenueshmëria e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues”, shkroi tutje Bislimi.
“Shpreha mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE. Z. Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve. Ndërkohë, z. Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar mëtej në këtë proces. Gjithashtu, konfirmova përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut”, përfundoi ai.