I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier kanë shkuar në Veri.
Në Mitrovicën e Veriut, dy emisarët dhe ambasadori janë takuar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarin e kësaj komune nga po e njëjta parti, Milan Radojeviq, raporton Gazeta Express.
Mediumi serb “Kosovo Sever” ka publikuar fotografi nga ky takim.
Escobar dhe Lajçak të mërkurën u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të opozitës.
Pas një situate të përshkallëzuar në fund të korrikut, zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi si masë reciproke me Serbinë u shtye për 1 shtator dhe tensionet në veri të vendit u ulën disi. Por tani shtatori është afruar dhe deri të mërkurën e javës së ardhshme Kurti e Vuçiq pritet të vihen sërish përballë njëri-tjetrit për ta arritur një marrëveshje. Në kuadër të kësaj përpjekje, Escobar dhe Lajçak pritet që sot pasdite të shkojnë edhe në Beograd.