ZëvendësndihmësSekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tha të hënën në Shkup se SHBA-ja mbështes fuqishëm integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Dua të shpreh edhe njëherë mbështetjen e fuqishme të administratës tonë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ne po punojmë me partnerët tanë evropianë në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se të gjithë jemi të mendimit se Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, si në aspektin kulturor, historik, por edhe si ekonomi në rritje. Ju, duhet ta kemi vendin tuaj në tavolinë. Në këtë kuadër ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja në procesin integrues, në vazhdimin e reformave, që integrimi të bëhet realitet”, tha Escobar, i cili njëherësh është edhe i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Diplomati amerikan gjithashtu theksoi rëndësinë dhe ndihmën që mund të japë Maqedonia e Veriut në përballje me sfidat që mund të ketë jo vetëm Ballkani, por edhe Evropa si të tërësi.
“Ne folëm edhe për lidershipin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe në NATO, që të na ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve që e sfidojnë aleancën edhe në Ballkan, por edhe në Evropën si tërësi, dhe po kërkojmë mënyra se si ta thellojmë këtë bashkëpunim, që tashmë është mbresëlënës”, tha Escobar, në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Ky i fundit, deklaroi se SHBA-ja është partnere strategjike e Shkupit, aleate e afërt në NATO dhe mbështetëse e fuqishme që prej se Maqedonia e Veriut ka shpallur pavarësinë.
Paraprakisht, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar është pritur nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.
Pendarovski në këtë takim ka theksuar “rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot”.
“Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim me BE-në, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur negociatat për anëtarësim në BE, pasi këtë proces e ka bllokuar Bullgaria.
Sofja në nëntor të vitit 2020, vendosi veto për nisjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit, duke thënë se bllokada do të mbetej në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, por edhe lidhur me mosmarrëveshjet rreth të kaluarës historike mes dy shteteve.