I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka vizituar sot komunën e Pejës, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, dhe pasi ka biseduar me përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj nga ajo zonë dhe media, ka deklaruar se komuniteti serb në Kosovë po vuan për shkak të vendimit të BQK-së për heqjen e dinarit për shkak se qytetarët nuk mund të rrisin të ardhurat e tyre. Ai ka theksuar se do të mundohet të bisedojë me Qeverinë e Kosovës për të gjetur një zgjidhje urgjente për këtë problem.
Gjatë vizitës së tij në komunën e Pejës, ai ka biseduar me të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak. Në fund të vizitës së tij në Pejë, ai u takua edhe me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxh.
“Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj rrëfimet e njerëzve të dorës së parë se si janë prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Është e vështirë të dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent”, tha Eskobar në një deklaratë për Radion e Gorazhdevcit, transmeton FrontOnline.
Në një takim me komunitetin lokal serb, Escobar ka mundur të dëgjojë drejtpërdrejt se si vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ndikon tek ata, si dhe veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në Gorazhdevc.
“Këtu është një komunitet që vërtet po vuan. Ka njerëz që po përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësisë për të marrë pensione. Kështu që unë me të vërtetë dua të punoj me Qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente”, tha Escobar.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor iu referua shkurt propozimit franko-gjerman në kontekstin e problemeve aktuale.
“Ndërkohë, në afat të gjatë, ne ende duhet të punojmë shumë për të zbatuar marrëveshjen historike të normalizimit që arritëm marsin e kaluar. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë,” tha Escobar.
Ai tha se të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë e kanë mbështetjen e SHBA-së.
“Unë mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane për shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan,” tha Escobar.
Në intervistë ai kishte një mesazh për komunitetin serb që ka takuar, por edhe për autoritetet në Kosovë.
“Sa i përket komunitetit që jeton këtu, dua që komuniteti të ndiejë dhe të dijë se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte sigurie dhe dinjiteti. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe sa i përket Qeverisë të Kosovës, ata kanë përgjegjësi për ta arritur këtë dhe ne do t’u kërkojmë llogari për këtë”, theksoi Eskobar.