Është kënaqësi e dyfishtë ta mashtrosh – mashtruesin!

Prishtinë | 09 Pri 2023 | 13:48 | Nga Kimete Berisha

Big Brother e zbulon mjerimin dhe varfërinë e shqiptarëve “important”.

Krejt banorët janë të papunë.

Aktor – pa role, këngëtar- pa këngë, gazetar pa tekst, manekene pa kontratë.

Rini e humbur, që si te ‘Veronika vendos të vdes’ mërzitet të dal nga ‘burgu’ sepse s’ka ku të shkoj e askush – askund nuk e pret.

Çfarë filmash, çfarë bakraçi – kush flet për teatër, për muzikë e për letërsi, s’lexon kush gjë, përveç shkrimeve që shkruhen për ta.

Të gjithë bëjnë thashetheme veshur në mënyrë solemne, xixa-xixa në dasmën pa nuse, në natën pa hënë, në teatrin pa perde, ku shpirti i njeriut ekspozohet si malli në treg.
Gjynah.

Është Lui. Shikimi i tij është i thellë e i bukur si i Christopher Lambert, ama duket bukur – veç kur është i mërzitur.

Ti e di shumë mirë se është ‘mashtrues’, si krejt njerēzit që janë, por prap se prap të pëlqen.
Shumë të pëlqen.

Sepse, s’ke pse të jesh i ndershëm me mashtruesit.
Mashtrues për mashtrues – bile të jesh më i miri, më i dalluari, më i pakapshmi – mashtrues zotëri. Pedant.
E jo mashtrues ordiner.

Sepse, është kënaqësi e dyfishtë ta mashtrosh – mashtruesin, ka thënë Makiavell.

Por, ‘mashtrues’ më i madh se Lui është Albin Kurti.
Ramush Haradinaj ka intuitë të habitshme, i pari e ka ‘zbuluar’ që Albin Kurti është mashtrues.

Por, deri tani askush nuk po arrin ta mashtrojë – mashtruesin.
Megjithatë, është dikush që kam ymyd se do ta mashtrojë – mashtruesin.
Vjosa. Vjosa. Ajo ta ‘nxin’ jetën.
Katarina Vellika.

Vjosa Osmani qe një vit e refuzon për kryeprokuror ushtarin e Koshares, ndërsa Albin Kurti sot po e shikon Kosharen me sy panoramik, po i duket bash betejë e lezetshme, si ato
panoramat e Krishtlindjeve.

Mashtrues ky, mashtruese ajo.
Shpresoj të fitojë Vjosa.

Kur vijnë Pashkët, më kujtohet ideja e profetit Muhamed që ia ka rezervuar një varr të zbrazur pranë vetes në Medine, Isait (Jesusit) kur të kthehet në Tokë.

Si ide, rezervimi i varrit, nga qoshi letrar, duket jashtëzakonisht interesant.

Ata, muslimanët, mendojnë se kur të kthehet Isai (Jesusi) në Tokë, së bashku me një shok, do të sjellin paqen në Tokë, do të sundojnë katërdhjetë vite dhe pastaj do të vdesin, dhe Isai (Jesusi) do të varroset pranë profetit Muhamed, vet i katêrti në ‘Green Dome’, në Medine.

Por, për herë të parë në Pashkë sivjet, shoh kaq pak katolikë në pozita udhëheqëse.
Në kohën e Hashim Thaçit, katolikët kanë qenë shumë të nderuar.

Unë e kam veç një shoqe katolike, edhe ajo është e papunë, anipse është artiste profesioniste.

Sot, me sabah politikanët po i bëjnë rixhá qeverisë Kurti ‘aman, respektoje Kushtetutën, se s’ka kuptim, është Kushtetutë moderne, e butë, serioze, premtuese.

Vet fakti që u luten ‘respektoje, Kushtetutën’, dmth. lejohet edhe mos me respektu.
Pra, varet nga disponimi i qeverisë se a e respektojnë a jo Kushtetutën.
Me dasht nuk e respektojnë, si Albulena, e cila mendon se Gjykata Kushtetuese ekziston veç për inat të saj.

Krejt ministresha problematike.
Është fakt se femra me pushtet zakonisht bëhet shumë e ‘poshtër’.
I vjen në shprehje ai ‘frustrimi’ i vuajtjeve shekullore të grave, pas matriarkatit.

Shih Rizvanollin, për të cilën më ka lindur ideja se është antishqiptare, sepse nuk mërzitet që veterani e luftës së UÇK-së e arrestuan policia sepse nuk ka pare ta paguaj rrymën, kurse serbët i knaqi qeveria Kurti ‘rrymë e ujë’ pa pare.

Pse? Pse ti i do serbët e ‘Rojave të Urës’, më shumë se UÇK-në?
Këtë përgjigje do ta jepje në gjyq, sikur Kosova të ishte shtet!

Shikoni ‘listat e pagave’, është e mbushur spic me paramilitarë serbë që kurrë nuk dalin në punë.

P.S. Unë jam Kimete Berisha dhe jam numër Një.

Të ngjashme