Njerëzit të cilët ne mbajmë afër në jetën tonë luajnë një rol madhor në atmosferën që krijojnë në të. Dhe dashur pa dashur, e gjejmë veten në një marrëdhënie toksike, që pa e kuptuar ka filluar të ndikojë negativisht në mendimet, ndjenjat dhe jetën tonë. Kjo ndodh në marrëdhënie shoqërore, romantike apo marrëdhënie në punë. Diçka që duhet theksuar është se jo gjithnjë në këto marrëdhënie ka mungesë dashurie, mirëkuptimi, respekti etj. Thjesht sado të japin të dy personat, për njeri tjetrin thjesht nuk janë siç duhen. Disa lidhje janë të tilla që në fillim, disa shfaqen me kalimin e kohës, disa na zhysin thellë pa e kuptuar.
Por si mund ta kuptojmë dhe çfarë duhet të bëjmë?
Është e vështirë, sepse duhet të jesh ti ai që largohesh. Por jo menjëherë.
Gjithsesi, nëse e marrim në aspektin shoqëror/romantic, ka shumë shenja dalluese. Keni një dashuri të madhe për njëri tjetrin, i dedikoni kohë, jeni mirëkuptues dhe e respektoni njëri tjetrin. Por në shumë raste, biseda të zakonshme,pa qëllim, ai person të bën të ndihesh keq me veten tënde, të nxjerr në pah disa të meta të tuat përballë aftësive të tij. Ndihesh gjithnjë i dobët në praninë e tij. Ose është shumë i zhytur në problemet e tij, ankohet për një periudhë të gjatë, dhe nuk pyet kurrë sesi ti je. Gjëja e parë që duhet të kujtojmë është që çdo kush kalon periudha të vështira dhe duhet të jemi aty për personin tjetër, shkruan blitz.al. Më pas, duhet të mundohemi të flasim për këtë situatë dhe të gjejmë një rrugë të përbashkët. Mbi të gjitha, t’i lemë kohë. Por kur kjo zgjat shumë, bëhet e papërballueshme për ty (ndonjëherë vetëm me ty, sepse me persona të tjerë ka sjellje tjetër), duhet të filloni të distancoheni dhe të largoheni. Sepse edhe nëse qëndroni asgjë e mirë nuk do vijë prej saj, sepse të dy jeni “helmues” për njëri tjetrin, ose qoftë edhe vetëm për një palë.
Një tjetër situatë mund të jetë pamundësia që ti ndjen të largohesh. Keni shumë kohë me njëri tjetrin, të duket sikur do ngelesh vetëm pa të, dhe për hir të të gjithë kujtimeve të mira, sakrifikohesh në këtë gjendje. Por ato kujtime të mira, nuk janë më aty, është e gjitha ndryshe tani. Fakti që dikur kanë qenë, nuk do të thotë që janë ende, sepse gjërat dhe ndjenjat zbehen. Dhe është e vështirë të largohesh kur ka qenë përditshmëria jote për shumë gjatë. Por nuk është më diçka e mirë në jetën tënde. Vendosni në peshore pozitivet dhe negativet që ju shkaktohen dhe do e kuptoni vetë.
Gjithashtu, në marrëdhëniet në punë, kemi gjithnjë një koleg që është gjithnjë i stresuar, duke gjendur probleme dhe aty ku nuk ka të tillë, dhe përveç lodhjes, i shtohet edhe kjo frymë toksike e tij.
E rëndësishme në fillim është të kuptoni që jeni në një të tillë, dhe mos ta neglizhoni. Më pas, duhet të arrini të kuptoni që ai person nuk ndikon vetëm në marrëdhënien tuaj. Ndikon tek ty, tek mënyra si ti mendon, te ndjenjat e tua dhe rrjedhimisht në çdo sektor dhe aspekt të jetës tënde. Prandaj duhet parandaluar në kohë, për të mirën tonë, dhe shpesh dhe të tjetrit.
Kur e gjithë kjo është e qartë, të ngelet vetëm ta zgjidhësh. Dhe si gjithnjë formula 3K është: komunikim, kompromis, kohë. Dhe kur kjo nuk funksionon, është koha të distancohesh dhe të largohesh pa asnjë shpjegim më shumë. Më besoni, mund të mbyllen shoqëri dhe lidhje disa vjeçare, dhe gjithçka do jetë mirë. Madje pas disa kohësh, do e kuptoni sesa e rëndë ishte prezenca e tyre, dhe se tashmë është më mirë pa të.
Kështu që, mbani afër njerëz që ju duan dhe ju bëjnë të lumtur. Që ju japin po aq sa ju marrin. Që janë për ju të ngrohtë dhe ju bëjnë të ndiheni mirë me veten.