Avokati Tomë Gashi ka thënë se kthimi i ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, në Kosovë, pas vjetërsimit absolut të lëndës është krejtësisht i ligjshëm dhe se ai në asnjë rast nuk mund të arrestohet më për atë lëndë.
Gashi ka deklaruar që askujt nuk mund t’i mohohet kthimi pas vjetërësimit të lëndës dhe se Zharku nuk është ekstraduar meqë posedon shtetësi të Suedisë, shtet ky që nuk i ekstradon qytetarët e tij.
“Nuk kam qenë avokat i Xhabir Zharkut. Ka qenë Xhevdet Hamza avokat i tij, ndërsa unë kam pasur këshillime ligjore me të. Kjo gjë është krejt e ligjshme. Askush në botë nuk mund të arresohet pasi lënda të jetë vjetëruar. Xhabir Zharku ka mundur të kthehet nga marsi i këtij viti në Kosovë, pa kurrfarë problemi”.
“Ai nuk është kthyer në Kosovë deri tani sepse ka shtetësi suedeze dhe Suedia nuk i ekstradon shtetasit e vet. Kjo gjë që ka ndodhur nuk ndodhë vetëm në Kosovë, por gjithkund në botë ka vjetërsim të lëndëve”.
“Askujt nuk mund t’i mohohet kthimi në vendin e tij pas vjetërsimit të lëndës. Të gjitha dispozitat ligjore e garantojnë një të drejtë të këtillë”. tha Gashi në Klan Kosova.