Nuk është asgjë e re nëse ke treguar një fakt se BIA ka punuar, apo punon kundër shqiptarëve. Dhe, nuk është asgjë e re nëse ke treguar se BIA ka bashkëpunëtorë të vet nga radhët e shqiptarëve.
Pastaj deponimi i çfarëdo të dhëne në Prokurorinë Speciale është i mundur nga secili individ, apo institucion që ka vullnetin ta bëjë një gjë të tillë.
Është marrëzi të mendosh se Prokuroria speciale do të duhej të mos pranonte raportet e shërbimeve serbe.
Dhe, është edhe më marrëzi të mendosh se Gjykata nuk do t’i marrë parasysh ato raporte dhe ato të dhëna.
Serbia zyrtare pretendon se janë disa qindra serbë të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë nga elementët e UÇK-së.
Dhe, si mendoni tash, që BIA të mos ofrojë të dhënat e saj?! Apo, që Prokuroria dhe Gjykata t’ia mbyllin derën Serbisë?!
Ne mund të argëtohemi si të duam me audio e video inçizime, por të pretendosh se një fakt do të mohohet në Gjykatë vetëm pse vjen nga shërbimet serbe, është iluzion.
Një pretendim në gjykatë mund të rrënohet vetëm nëse nuk ka fakte dhe prova e jo pse vie nga një burim serb.
Në fakt, jo vetëm që provat nuk mund të rrënohen, por nëse mbrojtja nuk është në nivel të detyrës, mund të ndodh që edhe pretendimet e rreme të pranohen si të vërteta dhe në bazë të tyre të ndodhin denimet.
Mos u ekzaltoni shumë nga audio inçizimet dhe as nga përformancat retorike të avokatëve në seanca gjyqësore!
Në fund janë gjykatësit ata që vendosin për fajësinë dhe pafajësinë. Dhe, verdiktet nuk janë gjithmonë të bazura në fakte dhe prova!