Eskalon gjendja në kufi, bllokohen kamionët në të dyja anët

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Disa nga kamionët me mallra serbe janë ndaluar të hyjnë në Kosovë për shkak të emërtimeve jokushtetuese ndaj shtetit të Kosovës. Nga Ministria e Jashtme thonë se Serbia po bllokon kamionët e Kosovës që nga 30 marsi.

Pas heqjes së tarifës ndaj produkteve serbe dhe vendosjes së masave të reciprocitetit, Gazeta Express ka mësuar se transportuesit e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Expressin se është i informuar se vetëm prej orës 17:00, kur fillon ora policore në Serbi, nuk lejohen as maunët e as ndonjë automjet tjetër.

“Për informata tjera mund të shikojë më vonë. E di vetëm se nga ora pesë nuk lejohet asnjë automjet për shkak të orës policore”,

Mirëpo Kreshnik Ahmeti, Shef i Stafit të kryediplomatit Glauk Konjufca, ka shkruar para pak minutash se nga 30 marsi, Serbia po i mban të bllokuar kamionët e Kosovës.

“Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100% në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mbanë të bllokuar në kufi kamionët tregtar nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka shkruar Ahmeti.

Nga mesnata, me vendim të Qeverisë Kurti, është hequr tërësisht tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, për t’u vendosur masat e reciprocitetit.

Ka filluar hyrja e kamionëve me mallra nga Serbia, ndërsa edhe Kosova ka ndalur disa prej tyre për shkak se nuk iu janë referuar shtetit të Kosovës me emërtim kushtetues.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka, ka thënë për kallxo.com se Kosova ka kthyer kamionët e Serbisë që nuk i ka plotësuar kushtet për pranim.

“Me emërtime fyese apo jo kushtetuese nuk ka pasur ende nga mbrëmë sepse ato s’janë ardh fare. Ka pasur një rast që nuk e ka pasur të bashkangjitur certifikatën që kërkohet dhe ai rast është në procedurë me u kthy prapa. Nuk ka pasur me vete certifikatë fitosanitare që është kërkuar, nuk e ka pasur certifikatën dhe nuk është pranuar me u zhdoganu dhe në mungesë të dokumentacionit është kthy. Dokumenti jo komplet është kthy”, ka thënë Xhaka.

Të ngjashme