Deri më tash, tre persona kanë vdekur në Maqedoninë e Veriut pasi janë prekur nga ethet e Nilit Perëndimor.
Derisa, sipas autoriteteve të këtij sheti, 35 raste janë konfimruar, gjashtë prej tyre në gjendje kritike.
Të shtunën, ka vdekur një pacient 61-vjeçar me ethe të Nilit Perëndimor, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të viktimave.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Sasho Klekovski, ka deklaruar se shumë zona janë spërkatur, derisa të tjera presin t’i nënshtrohen këtij procesi.
“17 mijë hektarë në Shkup do të spërkaten me spërkatje ajrore, ndërsa 5 mijë hektarë me spërkatje territoriale. Po flas vetëm për qytetin e Shkupit, duke përjashtuar komunat e tjera në rajonin e Shkupit, të cilat janë përgjegjëse për spërkatjen e tyre të pjesshme. 17 hektarë ishin planifikuar për spërkatjen e ujërave të ndenjura në përgjithësi. Sipas laboratorëve, këto janë pellgjet në park dhe liqeni në Stajkovcë”, ka thënë ai.
Kurse, drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, ka bërë të ditur se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në Njësinë e Kujdesit Intensiv, ndërsa gjithsej 16 të tjerë po trajtohen në Klinikë.
“Megjithatë, në mesin e pacientëve të infektuar me formë neuroinvazive, pacienti më i ri i shtruar në spital është 25 vjeç. Ai është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po trajtohet në Departamentin e Neuroinfeksionit”, ka thënë Cana.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve që nëse vërejnë një shpend të egër të ngordhur, veçanërisht një korb apo ndonjë shpend tjetër, ta raportojnë rastin në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndërsa rreziku për zhvillimin e formave të rënda është më i madh te të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe ata me sëmundje kronike.
Ndërkohë, Athina është aktualisht një nga zonat më të prekura në Evropë nga ethet e Nilit Perëndimor.
Deri tani, në Greqi janë regjistruar 81 raste të formës neuroinvazive të sëmundjes dhe nëntë persona kanë humbur jetën. Raste janë raportuar edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.