Ministri i Etiopisë për inovacion dhe teknologji, Getahun Mekuria, ka thënë se në vendin e tij janë mbjellë 353 milionë bimë të ndryshme brenda një dite.
Këto mbjellje janë pjesë e një fushatë kombëtare për gjelbërimin e hapësirave publike dhe për t’i mbjellë gjithsej 4 miliardë bimë të ndryshme gjatë kësaj vere. Qeveria ka kërkuar që secili banor t’i mbjellë të paktën 40 fidanë. Shërbyesit civilë kanë dalë nga vendet e punës për të marrë pjesë në këtë fushatë.
Me këtë projekt synohet luftimi i efekteve të shpyllëzimit dhe ndryshimeve klimatike në vendin e goditur nga thatësira. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Etiopia ka vetëm 4 për qind sipërfaqe pyjore, ndërsa para një shekulli kjo shifër ishte 35 për qind.
Rekordi i mëparshëm botëror për numrin më të madh të bimëve të mbjella brenda një dite mbahej nga India. Ky rekord ishte shënuar në vitin 2016, kur indianët për një ditë i kishin mbjellë 50 milionë fidanë.
Nismën e qeverisë së Etiopisë e ka lavdëruar Dr.Dan Ridley-Ellis, drejtor i qendrës për pyje dhe teknologji në Universitetin e Edinburgut. Ai tha: “Bimët jo vetëm që e ndihmojnë luftën kundër ndryshimeve klimatike përmes thithjes së dyoksidit të karbonit nga ajri, por ato shërbejnë edhe për mbrojtjen e tokës nga degradimi, sidomos në vende të thata”, shkruan “The Guardian”.