Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar pas plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë.
Përmes një postimi në Twitter, Wigemark ka thënë se EULEX-i dënon “sulmin e pakuptimtë të sotëm kundër një të riu dhe një djali në Shtërpcë dhe u uron shërim të shpejtë”.
“Mendimet tona janë me familjet e tyre dhe komunitetin lokal. Në të njëjtën kohë, ne përgëzojmë policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari”.
“EULEX-i dënon sulmin e pakuptimtë të sotëm kundër një të riu dhe një djali në Shtërpcë dhe u uron shërim të shpejtë. Mendimet tona janë me familjet e tyre dhe komunitetin lokal. Në të njëjtën kohë, ne përgëzojmë @Kosovo_Police për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari”, ka shkruar shefi i misionit të EULEX-it.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se dy qytetarët në Shtërpcë, njëri 11 e tjetri 21 vjeç, u plagosen nga një veturë në lëvizje. Policia shumë shpejt arrestoi të dyshuarin, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për rastin kanë reaguar edhe krerët institucional, teksa dënuan sulmin. Po ashtu për rastin reagoi edhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, ku tha se i beson hetimit të autoriteteve të Kosovës.