Misioni i Bashkimit Evropian EULEX në Kosovë, në vazhdën e projekteve për ruajtjen e mjedisit, të mërkurën në Kampusin e Qendrës së Studentëve ka bërë mbjelljen e disa fidanëve, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, tha se ky aktivitet nuk ka për qëllim vetëm zbukurimin e ambientit, por edhe ndalimin e ndotjes.
Sipas tij, Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e starteve për mbrojtjen e mjedisit. Duke përmendur planin që të mbillen 1 milion fidanë në gjithë vendin ai pati një mesazh për diasporën kosovare.
Ai tha se llogaritet që 1 milion kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe po që se ata do të mbillni nga një fidan do të arrihej synimi i vënë nga institucionet.
“Sot mbjellim disa fidanë të reja e të cilat në numër dhe mbase mund të duken të paktë në numër por që kanë efekt të madh dhe gjithashtu jemi angazhuar në mbjelljen e fidanëve rreth kompleksit të termocentraleve Kosova A dhe B në Obiliq, dhe këtë aktivitet jemi duke e bërë në kuadër të mbjelljes së një milion pemëve në tërë Kosovën dhe natyrisht jemi të fokusuar që projektin ta qojmë deri në fund”, tha ai.
“Kosova është e përkushtuar për përmbushjen e standardeve për mbrojtjen e mjedisit. Ky aktivitet nuk ka për qëllim vetëm mbjelljen e drunjve, por edhe ndalimin e emetimit të gazrave”.
“Plani është të mbjellim 1 milion fidanë dhe ju keni 1 milion persona që jetojnë në diasporë nëse ata do të mbillnin nga një fidan do të mbërrinim këtë numër, pra ky është mesazhi im për diasporën”.
Ndërsa Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se synojnë që deri në fund të vitit të mbjellin 1 milion fidanë.
Ai më tej shtoi se kanë miratuar edhe Projektligjin për pyjet dhe kanë task-forcën për parandalimin e prerjeve ilegale, raporton EO.
“Ky është një aktivitet në vazhdën e aktiviteteve që i kemi si institucione, ku së bashku me presidenten kemi lansuar mbjelljen e një milion fidanëve në tërë Kosovën e që synojmë ta mbyllim deri në fund të vitit”.
“Kemi miratuar edhe Projektligjin për pyjet e Kosovës, kemi formuar task-forcën për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve e kështu më radhë”, tha Peci.
I lumtur me këtë projekt u shpreh edhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.
“Fati i jonë është që kemi vend dhe pozicion për mbjelljen edhe të fidanëve të tjera. Neve na mbetet që t’i mirëmbajmë këto fidanë”.