EULEX-i ka mbajtur një varg të kurseve të trajnimeve për Njësinë e hetimit të krimeve të luftës në Policinë së Kosovës. Ky trajnim, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, kishte për qëllim t’i ndihmonte Njësisë së hetimit të krimeve të luftës për zhvillimin e një sistemi bashkëkohor të menaxhimit të rasteve dhe për përmirësimin e kapaciteteve të saj në fushat e ndërtimit, administrimit dhe analizimit të rasteve të krimeve të luftës.
“Plotësisht i vetëdijshëm për faktin se një numër i madh i rasteve të krimeve të luftës janë shumë të ndërlikuara dhe të ndërlidhura me raste të tjera të krimeve të luftës, EULEX-i është duke e mbështetur Policinë e Kosovës në mënyrë aktive për themelimin e bazës së të dhënave dhe për përdorimin sa më të mirë të këtij mjeti për rastet e krimeve të luftës,” theksoi Roland Burgsteiner, monitorues për rastet e krimeve të luftës nga Njësia e EULEX-it për monitorimin e rasteve, dhe organizator i trajnimit.
Baza e të dhënave, e zhvilluar nga Policia e Kosovës me ndihmën e EULEX-it, do t’i mundësojë hetuesve të trajnuar për rastet e krimeve të luftës që të organizojnë sasi të mëdha të të dhënave, të menaxhojnë në mënyrë efikase raste të ndërlikuara të krimeve të luftës dhe t’i përgatisin ato raste për ndjekje penale.
Drejtori i Drejtorisë për Krime të Rënda dhe Hetime, Major Fadil Gashi, e falënderoi EULEX-in për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, duke shtuar: “Meqë tani ne kemi marrë përsipër komponentën e hetimit të rasteve të luftës nga EULEX-i, ne mirëpresim programe të trajnimeve në fushën e menaxhimit të këtyre rasteve të ndjeshme”.
Në dhjetor të vitit 2018, si rezultat i rikonfigurimit të mandatit të EULEX-it, Misioni dorëzoi dosjet policore të rasteve të krimeve të luftës tek autoritetet e Kosovës. Sot, monitoruesit policorë të EULEX-it kryejnë monitorime sistemike në nivel të Policisë së Kosovës, duke u përqendruar në fushat tematike të krimeve nga e drejta ndërkombëtare, krimeve të dhunës të bazuar në gjini dhe krimeve nga urrejtja, dhe ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për trajtimin e atyre çështjeve.