Euronews: Asociacioni shihet si qetësim i situatës në Veriun e Kosovës

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Së fundmi, agjensia e njohur “Euronews” i ka kushtuar një reportazh situatës aktuale në Kosovë duke mbuluar kështu jo vetëm çfarë po ndodh momentalisht, por edhe duke dhënë një shpjegim që tregon se si gjërat mbërritën kështu si janë.

Reportazhi hapet me pamje të qytetit të Mitrovicës, teksa dëgjohen sirenat e alarmit si edhe tregohen policët në urën e Ibrit, që konsiderohet si pikë ndarëse. Ndërkohë njerëzit paraqiten si të nervozuar në të dyja anët e kësaj ure.

Gazetarja e “Euronews” viziton komunën e Zveçanit, një nga komunat që ka pasur tensione pas zgjedhjes së kryetarit shqiptar. Pamjet filmike tregojnë gardhat me gjemba, barrikadat dhe forcat e KFOR, ndërkohë që raportohet se si serbët në këtë komunë qytetarët serb mblidhen çdo ditë përballë ndërtesës së komunës. Këta të fundit nuk pranojnë të prononcohen për kamerat.

Ndërkohë kryetari i ri i zgjedhur për këtë komunë shprehet se pavarësisht numrit të ulët të votave që ka marrë ai i konsideron si legjitime këto zgjedhje dhe se zgjedhjet e reja do të ishin të padrejta.

“Mendoj që është legjitime, për arsye se u zgjodha nga vota e qytetarëve, pa marrë parasysh numri i atyre që kanë qenë, kështu që patjetër. Zgjedhje të reja do të ishin të padrejta sepse thehet vullneti i qytetarëve.” U prononcua ai për gazetaren.

Gjithashtu, ekipi që punoi për këtë reportazh vizitoi edhe komunën e Leposavicit, ku tregohej se si kryetari i ri i kësaj komune gjendej i vetëm në ndërtesën e komunës dhe ruhet nga forcat internacionale.

Ndonëse në këto komuna, asnjë nga serbët nuk pranoi të prononcohej para kamerave, në Mitrovicë, Milica u shpreh se situata aktuale ka ardhur si rezultat i mungesës së përjekjeve për të implementuar në mënyrën e duhur marrveshjet të cilat Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar.

“Një pjesë është për shkak të mungesës së vullnetit nga Kosova dhe Serbia që të përfshihen në mënyrë konstruktive në një dialog dhe të zbatojnë marrveshjet siç ishin parashikuar për komunitetin serb, ku njëra nga më të rëndësishmet ishte ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe e cila është nënshkruar 10 vite më parë dhe nuk është zbatuar.” U shpreh Milica, studiuese e efekteve të politikave të Kosovës mbi jetën e komunitetit serb.

Në reportazh, asociacioni i komunave serbe shihet si një nga mënyrat që mund të ndihmojë në qetësimin e situatës.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të garantone një nivel vet-menaxhimi për serbët e Kosovës. Erdhi si rezultat i marrveshjes së Brukselit në 2013, por Kosova dhe Serbia ende nuk kanë rënë dakord për mënyrën se si do ta implementojnë atë.

Kjo është një nga pikat kyçe që pengon procesin e normalizimit të marrdhënieve ndërmjet këtyre dy komuniteteve.” Thuhet në reportazhin e “Euronews”.

Ndërkohë, BE dhe USA, mbështetësit kryesor internacional të Kosovës kanë udhëzuar fuqimisht qeverinë e Kosovës për të ndaluar provokimet, duke kërcënuar me sanksione.

Lulzim Peci, studiues dhe ish diplomat i Kosovës, i pyetur nga “Euronews” rreth situatës aktuale u shpreh se të dyja palët duhet të rikthehen në tryezën e dialogut. Gjithashtu ai e shpjegoi sjelljen aktuale të ndërkombëtarëve me arsyetimin se kjo është një përpjekje e tyre për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus.

“Të dyja palët duhet të rikthehen në tryezën e negociatave, por gjithashtu edhe perëndimi duhet të ketë një sjellje në balancë për sa i përket sanksioneve ndaj Kosovës dhe Serbisë. Personalisht e kuptoj që ekziston një lloj dëshire në Perëndim për ta tërhequr Serbinë drejt perëndimit dhe ta shkëpusë nga Rusia, por kjo nuk mund të këmbehet me stabilitetin e rajonit” shprehet Peci.

Ekspertët bien dakord se nuk ka elementë aktual që sinjalizojnë për shpërthimin e një konflikti në Kosovë. Pavarësisht situata mbetet e paqëndrueshme.

BE është duke udhëzuar fuqimisht Kosovën dhe Serbinë për të gjetur një zgjidhje sa më shpejtë. Me luftën në Ukrainë, Ballkani shihet si linja e re e konfrontimit ndërmjet Moskës dhe Brukselit. Për Beogradin dhe Prishtinën, gjendja aktuale është duke ngadalësuar jo vetëm procesin e normalizimit, por edhe rrugëtimin drejt antarsimit në BE.

Të ngjashme