Europa League hyn në fazën e saj më të nxehtë. Mbrëmjen e sotme do të zhvillohen dy sfidat e para gjysmëfinale me dy favoritet e mëdha Arsenalin dhe Chelsea-n që do të tentojnë të hedhin një hap të sigurtë drejt finales së madhe të këtij kompeticioni që do të zhvillohet në Baku.
Në Emirates Stadium dhe në Commerzbank Arena spektakli pritet të jetë i garantuar pasi si të 4-ta skuadrat e dëshirojnë me çdo kusht finalen e Europa League.
Arsenal-Valencia mes dy emrave të mëdhenj të futbollit europian ku skuadra angleze për shkak se ka në gjirin e saj edhe një trajner strateg si Unai Emery për këtë lloj kompeticioni, është e avantazhuar sidomos në ndeshjen e vajtjes që topçinjtë e luajnë në shtëpi.
Gjithsesi mungesat e shumta që ka Arsenali në këtë duel për shkak dëmtimesh ja vështirësojnë shumë punën trajneri Unai Emery. Ramsey, Bellerin, Holding, Welbeck dhe Denis Suarez nuk janë të gatshëm ndërkohë që në dyshim është edhe Nacho Monreal.
Probleme ka dhe Valencia dhe konkretisht në repartin e mesfushës aty ku trajneri Marcelino Garcia Torral nuk ka në dispozicion Cheryshev, ishin Coquelin dhe Kondogbia. Po në orën 21:00 në Gjermani, Chelsea do të ketë pengesën e parë të vështirë në këtë edicion të Europa League.
Përballë një Frankfurti që do të ketë mbështetjen e zjarrtë të tifozëve gjermanë pasi është skuadra e vetme që përfaqëson Bundesligën në kompeticionet europiane, Chelsea nuk pritet ta ketë aspak të lehtë.
Rebic është mungesa e madhe e vendasve për shkak kartonësh, ndërkohë që Haller është në pikëpyetje të madhe pasi vjen nga një dëmtim i gjatë dhe pritet që trajneri Adi Hutter tia besojë sulmin dyshes Jovic-Paciencia.
Te Chelsea ato të Rudiger dhe Hudson Odoi janë mungesat e mëdha të Sarrit ndërkohë që në dyshim është edhe braziliani Willian.