Europarlamentarja Clara Ponsati Obiols në seancën e sotme plenare të Parlamentit Evropian, ku u diskutua për raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar që Spanja ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Në seancën në të cilën u mbështet liberalizimi i vizave për kosovarët, Ponsati ka thënë se problemi i Spanjës nuk është fare te Kosova, por te Katalonja dhe ruajtja e “unitetit të shenjtë të saj”.
“Për Kosovën, BE-së i duhet të ketë qëndrim unik, por pesë shtete anëtare ende nuk e njohin. Janë katër shtete të rajonit, por Spanja është e pesta. Pse? Cili është problemi i Spanjës me Kosovën. Nuk është për Kosovën. Është për Katalonjën”, ka thënë ajo në fjalimin e saj.
Sipas saj, Spanja vuan nga frika se do t’i rrezikohet “uniteti i shenjtë”. Sipas Ponsatit, Spanjës më shumë i intereson uniteti i saj se demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Ajo ia ka kujtuar Spanjës se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka mohuar ankesën e Serbisë se Kosova ka shkelur sovranitetin e saj.
“Kjo vlen për Kosovën, por edhe për Spanjën”, ka thënë ajo.
“Është koha për të ecur përpara. Është koha që Spanja ta njohë Kosovën dhe ta lërë Katalonjën të vendosë për të ardhmen e vet”, ka përfunduar fjalimin e saj.
Vetëm pak javë më herët pati “provokime” nga ana e Spanjës drejtuar Kosovës. Ky shtet iu referua Kosovës vetëm si territor, para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në futboll. Federata e Kosovës kërcënoi se do të ndërpresë ndeshjen nëse nuk paraqitet me himnin e simbolet shtetërore.