Grupet përherë e më të dhunshme të krimit të organizuar përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane, duke i lënë prapa terrorizmin dhe emigracionin, ka njoftuar të martën agjencia kryesore policore e Evropës.
“Grupet mafioze italiane, shqiptarët dhe evropianolindorët, si dhe bandat e ‘jashtëligjshme’ të çiklistëve janë përgjegjësit kryesorë”, kanë thënë zyrtarët në një konferencë të udhëhequr nga agjencia antimafie e Italisë dhe agjencia policore e BE-së, Europol, ka raportuar “AFP”, transmeton “Koha Ditore”.
“Por edhe grupet aziatike, afrikane dhe amerikanojugore i kanë kontribuar biznesit vjetor më se 110 miliardë eurosh të krimit të organizuar, teksa shumica e tyre po bashkëpunojnë përherë e më shumë me njëra-tjetrën”, u tha në takimin e mbajtur në Hagë. “Aktualisht, krimi i organizuar përbën rrezikun më të madh për sigurinë e brendshme të BE-së”, ka thënë Jari Liukku, shefi i qendrës së Europolit për krime serioze dhe të organizuara në Evropë.
Zyrtarët thanë se krimi i organizuar ishte lënë “nën hije” gjatë viteve të fundit, kur Evropa po përballej me një valë sulmesh terroriste dhe krizën e madhe të emigracionit, por tani duhet të luftohet me anë të bashkëpunimit tejkufitar.
“Për ta parandaluar krimin e organizuar, ne duhet të veprojmë ndërkombëtarisht, shkaku që grupet e krimit të organizuar tanimë po e bëjnë një gjë të tillë”, ka shtuar Liukku.
Giuseppe Governale, shef i drejtorisë italiane për hetime antimafie, ka thënë se “Cosa Nostra” e Sicilisë, “‘Ndrangheta” e Kalabrisë dhe “Camorra” e Napolit janë edhe më tutje grupet më të mëdha mafioze, por shtoi se problem është shumë më gjithëpërfshirës. “Ky është një problem evropian”, tha ai.