Më shumë se 650 anëtarë të formacioneve paraushtarake ruse Wagner dhe Redut, të përfshirë në operacionet luftarake në Ukrainë – përfshirë edhe shtetas të Bosnjë e Hercegovinës – janë zbuluar në një aksion të EUROPOL-it, tha kjo agjenci evropiane për bashkëpunim në sundim të ligjit më 31 tetor.
Kjo fazë e hetimit, e zhvilluar në bashkëpunim midis EUROPOL-it, Moldavisë dhe Ukrainës, përfshiu edhe kërkimin e provave për krime lufte, nga ekzekutimet e civilëve deri te dhuna seksuale.
Në hetimin e udhëhequr nga ekipi i EUROPOL-it për krime ndërkombëtare, janë identifikuar 654 anëtarë të grupeve private ushtarake ruse Wagner dhe Redut që kanë marrë pjesë në operacione luftarake kundër Ukrainës, bëri të ditur EUROPOL-i.
Sipas njoftimit, në mesin e të dyshuarve ka shtetas të Ukrainës, Moldavisë, Kazakistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Azerbajxhanit, Armenisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Gjatë aksionit, i cili u zhvillua më 29 tetor, policitë kryen 70 bastisje në objekte në Moldavi dhe Ukrainë dhe konfiskuan armë, municion, uniforme ushtarake, simbole të Wagner-it dhe pajisje elektronike.
Gjatë operacionit u mblodhën edhe video-incizime e fotografi që tregojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të Moldavisë dhe Ukrainës në luftime në Ukrainë dhe në Republikën Demokratike të Kongos si pjesë të këtyre formacioneve paraushtarake ruse, tha EUROPOL-i.
Autoritetet ukrainase, përmes kanaleve të sigurta të EUROPOL-it, ndanë 280 emra të shtetasve të huaj të dyshuar për pjesëmarrje në luftime.
Që nga fillimi i hetimit, sipas të dhënave të EUROPOL-it, janë zbuluar kampe trajnimi dhe rekrutimi, janë lokalizuar strukturat komandues, dhe janë dokumentuar shumë krime lufte – ekzekutime të civilëve, përdorimi i armëve të ndaluara dhe sulme ndaj qyteteve ukrainase.
Derisa tani 11 shtetas ukrainas janë akuzuar për tradhti të lartë, pasi iu bashkuan grupeve Wagner dhe Redut.
EUROPOL-i, përveç mbështetjes analitike dhe teknike, krijoi një qendër virtuale komandimi për të lehtësuar komunikimin midis shteteve të përfshira dhe për të krahasuar të dhënat operative në kohë reale me bazat e veta të të dhënave dhe burimet e hapura, u tha në njoftim.
Agjencia e Bashkimit Evropian theksoi se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Ukrainën dhe Moldavinë në kuadër të marrëveshjeve operative të nënshkruara në 2014 dhe 2016, të cilat mundësojnë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e hetimeve ndërkufitare.
“Qëllimi është të shkatërrohen rrjetet që kërcënojnë sigurinë e Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të tij”, tha EUROPOL-i.//rel