Të dielën, e gjithë eleganca e Eurovisionit parakaloi në tapetin e kaltër në Rotterdam duke folur me fjalën e fundit të modës. Të gjithë konkurrentët në garë prezantuan disa prej stileve, ngjyrave e dizajneve të modës, me emrat më të njohur të stilistëve në të gjitha vendet europiane.
Po kush ishte e veshura më bukur e kësaj mbrëmjeje? Sondazhi i Wiwibloggs ka shpallur fituese përfaqësuesen shqiptare, Anxhela Peristeri, si e veshura më bukur në këtë event të rëndësishëm të këngës.
Pasi Anxhela Peristeri e postoi sondazhin edhe në Instagramin e saj, arriti të sigurojë edhe 7.417 vota, që përkthehet në 28.08% të votave të përgjithshme.
Anxhela u komentua si “Lady in red” dhe ishte me të vërtetë një sirenë e kuqe në tapetin e kaltër. Ajo kishte veshur një fustan të kuq hyjnor, i cili jo vetëm i theksonte elegancën, por edhe sensualitetin. Për ta bërë më joshëse veshjen, Valdrin Sahiti, stilisti i veshjes, kishte menduar një të çarë të theksuar në anën e majtë të fustanit duke i theksuar edhe pjesën e mesit.
Këngëtarja e “Karma” e shoqëroi veshjen me një palë këpucë të kuqe, doreza të gjata të kuqe, si edhe një kapelë të kuqe në kokë.
Ndërkohë, një shall i bardhë të sillte menjëherë imazhin magjepsës të Hollivudit të vjetër.
Veshja e Anxhela u dizenjua nga stilisti kosovar Valdrin Sahiti, i cili është i njohur edhe sepse shumë prej personazheve kudo në botë, kanë zgjedhur emrin e tij për t’i besuar veshjen e eventeve të mëdha. Ai më parë ka veshur yje si Beyoncé, Bebe Rexha dhe Cardi B.
Për herë të dytë në një tapet të kuq, Valdrin Sahiti ka rrëmbyer sërish trofeun si stilisti me veshjen më të bukur. Valdrini gjithashtu dizajnoi veshjen e qilimit të kuq të Elhaida Dani në Eurovision 2015, e cila gjithashtu u votua si e veshura më bukur e atij viti.
“Ëedding cake” ishte përcaktimi i fustanit që veshi këngëtarja shqiptare 6 vjet më parë.
Në vend të dytë të këtij viti është klasifikuar këngëtarja nga Letonia, Samanta Tina, e cila siguroi 5,973 (22.61%).