Institucionet e Kosovës janë duke kërkuar një zgjidhje emergjente për të parandaluar ndaljen e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ndalja e tyre do ta obligonte KESCO-n të importojë energji elektrike nga vendet e rajonit që është shumëfish me shtrenjtë se sa energjia e prodhuar nga KEK-u.
Çmimi i importit në fund mbulohet tërësisht nga qytetarët e Kosovës, pasi futet në tarifa të energjisë duke bërë që rryma të shtrenjtohet.
Emergjenca e krijuar nga sektorin e energjisë vjen pas dështimit të KEK-ut dhe institucioneve tjera për të përmbyllur procesin e zhvendosjes së banorëve të Shipitullës.
E kjo vonesë nuk është vetëm për fajin e KEK-ut, mirëpo aty hise kanë edhe qytetarët që kanë ndërtuar shtëpi ilegale sa për të përfituar nga procesi i zhvendosjes, Komuna e Obiliqit, dhe ministritë përkatëse.
“Gazeta Jeta në Kosovë“ ka siguruar shkresat e shkëmbyera në mes të institucioneve në tentativë për të gjetur një zgjidhje emergjente që të parandalohet mungesa e energjisë elektrike.
Përveç shkresave të shkëmbyera në mes të institucioneve, në pjesën e parë të muajit korrik ishte mbajtur një takim i gjithë akterëve në Zyrën e Kryeministrit, në të cilën ishte disktuar edhe zgjidhja emergjente.
Pas këtij takimi, KEK në një shkresë të dërguar fillimisht tek kryetari i Komunës së Obiliqit e më vonë edhe tek institucionet e tjera, duke përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, ka kërkuar të bëhet ‘evakuimi emergjent” i 8 shtëpive që janë në afërsi të mihjes.
Kjo kërkesë e KEK-u bazohet në situatën në terren e shkaktuar për shkak të punës së ekskavatorëve të KEK-ut në afërsi të këtyre shtëpive, duke e tejkaluar limitin e vendosur në ligj për punën në miniera afër vendbanimeve.
Në një shkresë që drejtori menaxhues, Arben Gjukaj, ia ka dërguar kryetarit të Komunës së Obiliqit thotë se nëse këto 8 shtëpi nuk evakuohen atëherë ka rrezik të ndaljes së prodhimit të energjisë elektrike.
“Ato (8 shtëpi) tani janë në vijën e parë të avancimit të mëtutjeshëm të punëve në largimin e djerrinës dhe për pasojë nëse të njëjtat nuk largohen do të rrezikohen seriozisht stabiliteti i tërësishëm gjeomekanink dhe teknologjik dhe mbi të gjitha do të rrezikohet edhe ndërprehet furnizimi me lëndë djegëse i termocentraleve për prodhim të energjisë elektrike”, thuhet në shkresën e Gjukajt.
Kjo shkresë është dërguar me 29 qershor 2017. Ai ka vazhduar të shkruajë shkresa edhe në drejtim të institucioneve të tjera.
Në bazë të shkresave del që kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i ka shkruar Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave për të filluar vlerësimin e rrezikut në terren dhe të merren masa preventive.
Arben Gjukaj ka treguar për rëndësinë e evakuimit të këtyre 8 shtëpive në një afat shumë të shkurtër. Thotë se largësia në mes të ekskavatorit dhe këtyre shtëpive, që janë të pabanueshme, është më pak se distanca e vendosur me ligjet në fuqi.
Por, Gjukaj thotë se me evakuimin e këtyre shtëpive, KEK-ut i mundësohet që të operojë edhe për 2 muaj pandërprerë.
“Gjatë këtyre dy muajve ne do të operojmë vetëm në pronën e KEK-ut dhe nuk do t’i prekim asnjë prej pronave private. Kjo është një zgjidhje emergjente që na jep kohë të përfundojmë në mënyrën më të mirë shpronësimin e këtyre pronave të nevojshme për operim normal të mihjes”, tha Gjukaj për “Gazetën Jeta në Kosovë“.
Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e Agjencisë për Menaxhmin e Emergjencave, Fadil Kodrën, i cili ka thënë se ka një tentim për ikje nga kompetenca në këtë rast.
Kodra ka thënë se Agjencia që drejton ai nuk merret me zhvendosje dhe shpronësime. Thotë se kjo çështje i takon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Madje ai këmbëngul që edhe në rastet e emergjencave, siç po i thonë zyrtarët e KEK-ut, kjo Agjenci nuk merret me zhvendosje.
“Ne nuk kemi mundësi me i largu prej shtëpive të tyre banorët”, tha Kodra.
Por, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se kjo ministri i ka kryer obligimet e saja sa i përket procesit të zhvendosjeve dhe shpronësimeve.
“Ne e kemi përcjellë propozim-vendimin për Qeveri në momentin që e kemi pranu, dhe vendimi është marrë edhe nga Qeveria. Por, për këtë evakuimin emergjent kompetent është Agjencia për Menaxhim të Emergjencave”, tha për “Gazetën JnK”, Refik Ramaj, shef i kabinetit të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ai edhe në një shkresë të dërguar institucioneve në emër të ministrit e kishe hequr përgjegjësinë nga kjo Ministri.
“Bazuar në të gjitha të sipërcekurat, MMPH, për shkak të kompetencave të saja të përcaktuara me dokumentet e sipërcekura, konstaton se procesi i evakuimit të 8 (tetë) shtëpive, bazuar në Raportin e Rivlerësimit bie në përgjegjësi të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka shkruar Ramaj në emër të ministrit Ferat Shala.
Tutje ai ka shpjeguar procedurat që duhet t’i ndjek KEK-u deri në marrjen në shfrytëzim të pronës së banorëve të Shipitullës.
“Pas kryerjes së procesit të evakuimit, paralel më këtë proces, KEK sh.a., duhet ta bëjë procedurën e zhvendosjes dhe nëse banorët nuk e pranojnë procesin e zhvendosjes, atëherë KEK- sh.a, duhet të paraqes kërkesë për shpronësim pranë MMPH-së , e cila pastaj i zhvillon procedurat e shpronësimit konform Ligji Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin nr. 03/L-205”, ka shkruar Ramaj.
Por, në një takim që kryeministri Isa Mustafa ka pasur me drejtorin e KEK-ut, ministrin e Mjedisit, Ferat Shalën dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka lënë të kuptohet se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës mund të kërkojë evakuimin emergjent të këtyre 8 shtëpive.
“Kjo çështje do të diskutohet edhe në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku do të kërkohet edhe angazhimi i institucioneve tjera emergjente dhe të sigurisë, për të evituar çdo rrezik eventual”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Shipitulla së bashku edhe me Haden ishin shpallur zona të interesit qysh në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009. KEK-u kishte vendosur që të shmangte Haden dhe mihjen të drejtojë drejt Shipitullës, e cila nuk kishte shumë shtëpi të ndërtuara. Por, në mes të viteve 2010 deri në vitin 2015 në këtë pjesë janë ndërtuar më shumë se 100 shtëpi, të gjitha në mënyrë ilegale.