Rreth gjysmë milioni njerëz në Oregon, ose 10 për qind e popullsisë së shtetit u urdhëruan të evakuohen shkaku i zjarreve ekstreme, të cilat kanë shkaktuar të paktën 24 vdekje.
Rreth njëqind zjarre kanë djegur një zonë të madhe pothuajse sa shteti i New Jerseyt, duke krijuar tym që i dha shtetit të Californias, Oregon dhe Washingtonit nivelet më të këqija të ajrit në botë.
Oregon barti peshën e madhe të shkatërrimit, me ekipet e kërkimit ende të paafta për të hyrë në zonat ku zjarret digjeshin nëpër shumë komunitete të vogla në malet e Kaskadës, transmeton Telegrafi.
Molalla, një komunitet rreth 40 kilometra në jug të qytetit Portlandit, ishte një qytet fantazmë i mbuluar me hirin pasi më shumë se 9,000 banorëve të saj u tha që të evakuohen, vetëm 30 refuzuan të largoheshin, tha departamenti i zjarrfikësve të qytetit.
Rreth 10 për qind e popullsisë së shtetit u paralajmëruan që të lënë menjëherë shtëpitë e tyre.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës ka kontribuar në rritjen e temperaturave. Zjarret kanë djegur mbi 3.1 milionë hektarë pyje në Kaliforni deri më tani këtë vit, duke shënuar një rekord vjetor, me gjashtë nga 20 zjarret më të mëdhenj në historinë e shtetit që ndodhin në nëntë muajt e fundit.