Kriza siriane është jashtëzakonisht komplekse, aq shumë saqë është e vështirë të gjesh një shpjegim të arsyeshëm.
Sot, konflikti që mund të provokojë një konfrontim midis perëndimorëve dhe Rusisë, është bërë pothuajse i padeshifrueshëm. Siria është mbi të gjitha teatri kryesor i betejës së influencës midis dy rrymave të Islamit, Shiit dhe Sunit dhe paladinëve të tyre përkatës, Iranit dhe Arabisë Saudite.
Ndërsa një rajon kyç si Lindja e Mesme është e ndarë midis këtyre dy kampeve, fuqitë e mëdha – Rusia, Shtetet e Bashkuara, Turqia, Bashkimi Evropian – janë të përfshirë edhe ato, në mënyrë të pashmangshme. Por le të përpiqemi të shohim qartë.
E gjitha filloi në vitin 2011 me pranverën arabe, e cila, pas tunizianëve dhe egjiptianëve, i shtyu sirianët që të dilnin në rrugë. Popullsia e Sirisë bëri thirrje për liri, demokraci dhe sundim të ligjit: të gjitha ato, që nuk i kishte marrë nga klani në pushtet, që nga fillim të viteve tetëdhjetë: familja Assad, e besimit alavit, një rrymë e Islamit shiit, ndërkohë që pjesa më e madhe e sirianëve janë sunitë.
Manifestimet e para ishin paqësore, me gra dhe fëmijë, pa armë. E megjithatë regjimi vendosë të qëllojë mbi turmën, me një dhunë të tillë, që brenda pak muajsh shpërtheu lufta civile, ku fillimisht u duk se po fitonin rebelët.
Në atë moment, Irani shiit erdhi në ndihmë të Bashar al Assadit, ndërkohë që vendet sunite mbështetën rebelët. Menjëherë, shërbimet e fshehta siriane nxorrën nga burgjet të burgosurit ekstremistë islamikë, që këta të përplaseshin me rebelët. Por këta bënë një aleancë me ish oficerët e ushtrisë së Sadam Huseinit, me objektiv krijimin e një shteti të vetëm sunit, mes Irakut dhe Sirisë.
Kaosi
Kështu lindi grupi Shteti Islamik, një gogol që regjimi sirian mund ta përdorte për t’i thënë botës: “Jemi alternativa e vetme ndaj tyre, tani zgjidhni!” Pas kësaj erdhi kaosi.
Duke u mbështetur tek kurdët, perëndimorët përqëndruan sulmet e tyre kundër Shtetit Islamik. Në viti 2013, Assadi përdori armë kimike kundër popullsisë që mbështeste rebelët.
Parisi dhe Uashingtoni vendosën që ta ndëshkojnë këtë krim, por kur në minutën e fundit Obama u tërhoq, regjimi sirian mendoi se tashmë i lejohej gjithçka. Rusët shfrytëzuan rastin për t’u kthyer dhe luajtur një rol të dorës së parë në Lindjen e Mesme, duke mbështetur Damaskun.
Ndërhyrja ushtarake e Moskës ndodhi në 2015, dhe që atëherë perëndimorët kanë parë shumëfishimin e krimeve të luftës të kryera nga Assadi, me mbështetjen e një Rusie të bindur se nuk ka më pse të ketë frikë. Fillimisht terren konfliktesh mes iranianëve dhe sauditëve, sot Siria është teatri i luftës mes rusëve dhe perëndimorëve. / France Inter – Bota.al/.