Evropa nuk do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e saj në dekadat e ardhshme, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.
Ajo hodhi poshtë idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron, për një strategji të pavarur evropiane të mbrojtjes.
“Do të duheshin dekada që Evropa të ndërtonte një fuqi ushtarake konvencionale dhe bërthamore për të kompensuar kontributin që SHBA-ja dhe NATO-ja kanë për momentin në sigurinë e bllokut”, tha ministrja gjermane.
Presidenti Macron tha për revistën franceze “Revue Grand Continent” se Evropa ka nevojë për një stretegji të pavarur të mbrojtjes edhe nëse në SHBA-ja do të ketë një qeveri të re që mund të rezultojë me lidhje më miqësore me evropianët.
“Shtetet e Bashkuara do të na respektojnë ne si aleatë vetëm nëse jemi serioz në lidhje me pozicionin tonë dhe nëse kemi sovranitetin tonë të mbrojtjes”, tha Macron.
“Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë autonominë tonë, ashtu si Shtetet e Bashkuara bëjnë për vete, dhe ashtu si Kina bën për vete”, tha ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, disa herë ka kritikuar vendet anëtare të NATO-s për kontributin e ulët financiar ndaj aleancës në krahasim me SHBA-në.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja gjatë viteve të presidencës së Trumpit, kanë pasur një sërë mospajtimesh edhe për zonat e konfliktit në botë, ku janë të pranishme trupat e NATO-s.