Evropa gjeografike dhe Evropa politike

Prishtinë | 02 Qer 2025 | 09:39 | Nga Blerim Shala

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ndryshe i njohur si një politikan që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë thuaja në të gjitha rastet dhe për të gjitha çështjet, ditë më parë dha një deklaratë që shquhet me dyshimin rrënjësor për synimet e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së me shtetet e kësaj ane të Evropës.

Dihet që shteti i fundit i kësaj pjese të kontinentit që hyri në BE ishte pikërisht Kroacia, në vitin 2013. Në të vërtetë, Kroacia edhe ashtu ka qenë shteti i mbramë që u bë pjesë e BE-së. Në ndërkohë, Britania e Madhe doli nga ‘Klubi evropian’.

Pra, Presidenti Milanoviq pohoi në mënyrë kategorike që me përjashtim (edhe atë ndoshta) të Malit të Zi, asnjë shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Teksa nuk dha shpjegim të mëtejmë se çka do të ndodhë (atëherë), me pesë shtetet e mbetura tek portat e BE-së (dikush më afër këtyre portave e dikush më larg, siç është rasti me Kosovën), deklarata e Milanoviqit i dha krah evroskeptikëve në këto anë të Evropës dhe i margjinalizoi edhe më shumë euroentuziastët, të cilët tash e sa vite janë në një zmbrapsje të madhe.

Madje, dikush këtu me të drejtë mund të thotë që nuk ka më fare entuziazëm, edhe tek ithtarët më të mëdhenj për inkuadrim në BE (me përqindje, Kosova dhe Shqipëria prinë në këtë aspekt teksa Serbia është e fundit, me përkrahjen për anëtarësim në BE që është diku rreth 40%).

Teksa më parë, së paku deri te kriza e refugjatëve dhe dyndja e popullizmit në Evropë (prej vitit 2015 e këndej), rrëfimi për Bashkimin Evropian ishte një tregim suksesi thuaja në të gjitha aspektet e mundshme, veçmas kur bëhej fjalë për përqafimin dhe mirëmbajtjen e vlerave sipërore politike, sociale, ekonomike dhe qytetëruese, në dhjetë vitet e fundit, çmimet e ’aksioneve’ të këtyre vlerave kanë rënë shumë, aq shumë, saqë shumëkush mëdyshë që ato janë ende në ’katalogun’ e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, duket që falë (çfarë ironie do të mund të shtohej këtu), agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, në muajin shkurt të vitit 2022, BE nisi të mëkëmbet në shumë rrafshe, duke u veshur edhe me petkun e një fuqie gjeo-politike, çfarë nuk e ka parë veten me dhjetëra vite në të kaluarën e saj.

Pastaj, politika e Administratës së dytë të Presidentit amerikan Donald Trump, nuk i lë shumë vend për hezitim dhe mëdyshje Brukselit dhe kryeqendrave të shteteve më të mëdha të BE-së. Bashkimi Evropian e ka të domosdoshme të shndërrohet në një organizatë të fuqishme politike, e cila do të merr nën përkujdesje, në një formë apo tjetrën, edhe mbrojtjen e kontinentit të vjetër nga një mësymje të parashikueshme nga Rusia e Vladimir Putinit.

Bashkimi Evropian pra gjendet në një fazë tepër të rëndësishme dhe shumë delikate të ri-organizimit të vet, që mund të krahasohet, deri diku, vetëm me atë të viteve të para pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Por, atëherë, çfarë ndodhi në Evropë ishte pasojë e epilogut të një lufte të madhe në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, e tani, në rrethana fare të ndryshme, kemi të bëjmë me një përplasje ekzistuese në mes të Evropës dhe Rusisë në fushëbetejat e Ukrainës, e cila mund të gjejë një armëpushim por shumë vështirë një paqe të mirëfilltë.

Derisa deri në dimrin e vitit 2022 kush në Evropë nuk besonte që mund të ketë luftë të njëmendtë në territorin evropian në mes të Rusisë dhe kujdoqoftë, tani, askush nuk është aq optimist sa të përjashtojë një front të ri në mes të Rusisë dhe ndonjë shteti tjetër evropian.

Nga ky pikëshim së paku, opsioni që shtetet e Ballkanit Perëndimor të mbeten fare jashtë BE-së, teksa tri prej tyre nuk janë as pjesë e Paktit NATO (Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia), është ftesë për telashe të vazhdueshme dhe për ndërhyrje të gjitha llojeve nga shtetet e treta, në radhë të parë nga Rusia dhe Kina.

Harta gjeografike e Evropës do të duhej të përcillej, sa më parë që është e mundur, edhe me hartën politike dhe territoriale të Bashkimit Evropian e cila do të përfshinte brenda vetes edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor./Klan Kosova/

Të ngjashme