Vendet në të gjithë Evropën po përpiqen të përshpejtojnë vaksinimet kundër COVID-19 dhe të ndalojnë përhapjen e variantit infektues Delta.
Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve rreziku i infektimit nga varianti Delta është i lartë dhe se deri në fund të muajit gusht varianti do të përbëjë 90% të rasteve në Bashkimin Evropian.
Organizata Botërore e Shëndetësisë është shumë e shqetësuar rreth përhapjes së variantit më të ri të COVID-19, raporton Associated Press.
Numri ditor i rasteve të reja tashmë po rritet ndjeshëm në vende si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Rusia. Autoritetet shëndetësore portugeze këtë javë raportuan një rritje të madhe të variantit Delta, e cila përbënte vetëm 4% të rasteve në muajin maj, por rreth 56% në muajin qershor. Portugalia po raporton numrin më të lartë të rasteve ditore që nga muaji shkurti dhe numri i pacientëve me COVID-19 në spitale ka tejkaluar shifrën 500.
Në Mbretërinë e Bashkuar, rastet e variantit Delta janë rritur 46% më shumë se javën e kaluar.
Raportet e infeksioneve të reja në Rusi u dyfishuan në muajin qershor, duke kaluar 20 mijë raste dhe 679 vdekje brenda ditës.
Autoritetet Portugeze kanë zgjatur orarin e qendrave të vaksinimit dhe kanë ulur periudhën midis marrjes së dy dozave të vaksinës AstraZeneca nga 12 javë në tetë javë.