Kryeministri Kurti nuk i është përgjigjur thirrjes se O’Brien, pastaj nuk i është përgjigjur edhe disa thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Kështu thonë burime të Gazetës Express.
Robert O’Brien, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Donald Trump, ka ndërmjetësuar dje në takimin me presidentëve Hashim Thaçi e Aleksnadër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Gazeta Express mëson se para këtij takimi O’Brien e ka telefonua Kurtin, për të diskutuar rreth tarifës ndaj produkteve serbe dhe rinisjes së dialogut me Serbinë.
Një burim i sigurt i Express ka thënë se Kurti nuk i është përgjigjur as thirrjes së këshilltarit të Trumpit e as thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë.
“O’Brien e ka telefonuar Kurtin për të diskutuar, por ai nuk është përgjigjur. Nuk u është përgjigjur as disa thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Ai po e shkatërron raportin”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.
Zyrëa e Kryeministrit nuk është përgjigjur nëse ka marrë Kurti telefonata të tilla, por nuk kanë kthyer përgjigje. Për pyetjet është informuar edhe asistenti i Kurtit, Arianit Beqiri.
Qeveria vazhdon të mos ketë zëdhënës për media, e Gazeta Express ka provuar ta kontaktojë Këshilltarin kryesor të Kurtit, Luan Dalipin. As ai nuk ka qenë i qasshëm.
Në të njëjtën ditë, Kryeministri Kurti i ka dërguar letër Presidentit Trump, ku i ka shpjeguar planin e tij për heqjen fillimisht të pjesshme të tarifës, ndonëse për këtë plan ka marrë reagim negativ nga emisari special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Presidenti Thaçi dje zhvilloi takim me Vuciqin në Shtëpinë e Bardhë, nën praninë e O’Brien dhe emisarit special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenellin.
Nuk janë dhënë detaje rreth takimit, ndërsa ministra e Drejtësië, Albulena Haxhiu ka thënë në Televizionin 7 se Thacit nuk ia ka dhënë Kuvendi mandatin për takime të këtilla.
“Kjo nuk është hera e parë që ai ikën fshehtas nga Kosova për takime të tilla pa mandat kushtetues, pa mandat që ja ka njohur Kuvendi”, ka thënë Haxhiu.