Afër vendlindjes së liderit të ndjerë iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, punëtorët e një fabrike të vogël i shtojnë me kujdes 50 yje dhe vijat e kuqe në pëlhurat e bardha për ta fituar pamjen e flamurit amerikan. Ata prodhojnë edhe flamuj të Izraelit.
Sidoqoftë, flamujt e prodhuar nga duart e këtyre punëtorëve nuk do ta kenë fatin që të qëndrojnë të varur në shtiza. Të gjithë do të digjen nëpër tubimet që mbahen si shenjë përkrahjeje ndaj qeverisë iraniane.
Një grup tjetër i flamujve të këtyre dy shteteve po prodhohet për përvjetorin e Revolucionit Iranian, që shënohet të martën. Shënimi i kësaj dite ka rëndësi të veçantë simbolike në kohën kur tensionet me Shtetet e Bashkuara janë të larta.
Sidoqoftë, pronari i kësaj fabrike shpreson se marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara një ditë do të përmirësohen, transmeton Gazeta Express.
“Shpresoj që të vijë dita kur flamujt që i prodhojmë ne të jepen si dhuratë”, tha Abdolfazl Khanjani për agjencinë “Associated Press”.
Në versionin e flamurit izraelit që prodhohet në këtë fabrikë vendoset edhe mbishkrimi “Vdekje Izraelit”, sepse Irani nuk e njeh zyrtarisht këtë shtet