Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Sem Fabrizi, u rekomandoi të gjitha institucioneve të Serbisë që ta shikojnë Raportin e Komisionit Europian në lidhje me ecjen përpara të këtij vendi, t’i konsiderojnë të gjitha rekomandimet, raporton agjencia e lajmeve e Beogradit, FoNet.
Ndër të tjera, “Komisioni ka shqyrtuar bashkëpunimin rajonal, raportet me fqinjët. Kuptohet, me theks në atë se duhet të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë Fabrizi, i cili ka shtuar se situata, sa u përket marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, edhe më tutje është e rëndë.
Ai rikujtoi deklaratën e djeshme të Federica Mogherinit me rastin e paraqitjes së Raportit në Bruksel, kur tha se një status quo është e papranueshme ndërsa çdo gjë që po ndodh mund të shndërrohet në incident.
“Mesazhi që ka dërguar ajo është që edhe më tutje duhet të lëvizet, meqë sa më pak të ketë dialog rreziku është më i madh që të ndodhin vështirësi prandaj është me rëndësi ripërtërirja e dialogut. Dhe ne këtë e kemi theksuar qartas në raportin tonë dhe kemi thënë se për vazhdim të dialogut është e domosdoshme që të hiqet taksa dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, është shprehur ai.