Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, tha se do të bllokojë “lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e nacionalizmit të bardhë dhe separatizmit”, nisur nga java e ardhshme.
Facebook po ashtu u zotua se do të përmirësojë aftësitë e tij për të identifikuar dhe bllokuar materialet nga grupet terroriste.
Ndalesat do të vlejnë edhe për aplikacionin e Facebook-ut, Instagram.
Ky rrjet social është nën presion, qëkur një person i armatosur transmetoi drejtpërdrejt në Facebook sulmet e tij në dy xhami të Zelandës së Re, më 15 mars.
Pas këtyre sulmeve, që kanë lënë të vrarë 50 njerëz, disa udhëheqës botërorë u kanë bërë thirrje kompanive të mediave sociale që të marrin më shumë përgjegjësi për materialin ekstremist, të postuar në platformat e tyre.
Facebook ka pranuar se videoja e sulmeve është parë më shumë se 4,000 herë përpara se të fshihej.