Facebooku lanson “pastrimin e historisë”, por ajo s’fshin asgjë

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Facebooku ka lansuar veçorinë e “pastrimit të historisë” një vit pas premtimit të Mark Zuckerbergut si pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar dëmet pas skandalit “Cambridge Analytica”.

Veçoria e re, pjesë e një seti veçorish që mbulojnë “aktivitetet jashtë Facebookut”, nuk do të fshijë asgjë nga serverët e Facebookut, por në vend të saj do të “shkëpusë” të dhënat nga llogaria e përdoruesit.

Fillimisht kjo është lansuar në Irlandë, Spanjë e Kore të Jugut, e “për disa muaj” do të lansohet në gjithë botën, shkruan “The Guardian”.

Veçoria ua mundëson përdoruesve për herë të parë të shohin monitorimin që Facebooku bën në rrjet dhe u jep më shumë fuqi për të kontrolluar ato që kompania ka mësuar për ta përmes kësaj mbikëqyrjeje.

Informatat i dërgohen rrjetit social nga kompanitë e tjera që përdorin një numër veçorish të cilat Facebooku i ka në dispozicion, përfshirë “Login with Facebook”, që u mundëson shumë aplikacioneve dhe shërbimeve kyçjen e përdoruesve në vend se të bëjnë veçorinë e tyre vetë.

Në të kaluarën ishte e pamundshme për përdoruesit të shohin se cilat kompani i kanë dërguar informata Facebookut. Veçoria e re tregon listën e bizneseve që kanë ndarë informatat me Facebookun dhe tregon se sa herë e kanë bërë këtë. Po ashtu u mundësohet përdoruesve të marrin kontrollin mbi këto informata dhe të “shkëpusin” aktivitetin e ndarë deri tash, apo edhe për të ardhmen.

Pavarësisht se informatat shkëputen nga llogaria e përdoruesit dhe nuk fshihen në tërësi nga serverët e Facebookut, kompania e ka quajtur butonin “pastro historinë”.

Kompania thotë se përdoruesit do të mund të gjejnë aktivitetin e historisë sikur edhe opsionin e “pastrimit”, në “settings” në aplikacion ose në ueb.

Zuckerberg në maj të 2018-s kishte premtuar “kontrollimin e thjeshtë për të fshirë historinë në Facebook – atë që keni klikuar, uebfaqet që keni vizituar e të tjera”.

Image

Të ngjashme