Facebooku mbyll shumë llogari në Kosovë, Maqedoni, Rusi e Iran

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Facebooku ka njoftuar të martën se ka mbyllur shumë llogari nga Kosova për mashtrime.

Në një njoftim të fundit nga rrjeti social, është bërë e ditur se janë mbyllur 2632 faqe, grupe dhe llogari që kishin pasur “sjellje të koordinuara joautentike” në Facebook dhe Instagram. Këto grupe janë mbyllur në Iran, Rusi, Maqedoni e Kosovë. Nuk ka pasur ndërlidhje mes aktiviteteve sipas Facebookut, por ato kanë shfrytëzuar taktikat e njëjta për të krijuar rrjete të llogarive për të mashtruar të tjerët.

Sa i përket njoftimit për Kosovën dhe Maqedoninë, Facebooku ka njoftuar se janë mbyllur 212 faqe, grupe dhe llogari.

“Individët prapa këtij aktiviteti kanë operuar me llogari të rreme për të administruar faqe me përmbajtje të përgjithshme, përmbajtje lidhur me astrologjinë, yjet dhe këshilla për bukurinë. Ata po ashtu udhëhoqën një numër të vogël të faqeve që pretendonin të përfaqësonin komunitete politike në Australi, Britani të Madhe e SHBA dhe postuan për fenë e tema politike si nacionalizmi, islami e figurat politike”, thuhet në sqarimin për llogaritë e mbyllura në Kosovë dhe Maqedoni.

Sipas Facebookut kjo mbyllje është bërë për shkak të sjelljeve dhe jo përmbajtjes.

Së fundmi, Facebooku ka mbyllur shumë llogari në shumë vende pas kritikave se po lejon rritjen e propagandave dhe përmbajtjeve ekstremiste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme