Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për nxjerrjen e vendimit që ish-kryetarit të Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, t’i njihet statusi për merita të veçanta dhe nga ky status do të përfitojë familja e të ndjerit.
“Sot Qeveria e Kosovës mori vendim për njohjen e statusit të qytetarit me merita të veçanta për Fadil Vokrrin, për kontributin e tij që ka dhënë në promovimin e sportit. Në bazë të propozimin të bërë, në baza mujore familjes së tij do t’i ndahen mjete financiare në vlerë prej një mijë euro”, tha Gashi.
Duke e vlerësuar lart kontributin e Fadil Vokrrit i cili me angazhimin e tij, futbolli i Kosovës është i njohur ndërkombëtarësht, ministri ka thënë se “Fadil Vokrri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës, qoftë si futbollist aktiv, e mandej edhe si udhëheqës sportiv. Me angazhimin e tij kemi ardhur deri në këtë dite, kur futbolli i Kosovës është i ndërkombëtarizuar plotësisht.”
Gjithashtu Gashi vendimin e Qeverisë e vlerësoi si mirënjohje shtetërorë.
“Ky vendim është një vlerësim dhe mirënjohje shtetërore për legjendën Vokrri, ka thënë ministri Gashi.”
“Legjenda e futbollit ishte i njohur dhe fitoi një numër të madh të kupave ndërkombëtare. Legjenda ndërroi jetë gjatë këtij viti dhe la zbrazëtirë. Kërkoj që Fadil Vokrrit t’i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta”, tha Gashi, raporton EO.