Fajde dhe shmangie nga tatimi, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin në Lipjan

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.D., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale “fajdeja” dhe “shmangie nga tatimi”.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri nga viti 2020 në Lipjan, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të shkaktuar nga pandemia si pasoj e virusit “Covid-19”.

“Në atë mënyrë që i dëmtuari B.G., si pronar i një ndërmarrjes tregtare, për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga një auto sallon në Prishtinë vetura në vlerë prej 600.000 euro në afat pagese prej dy muajve, të cilat i ka shitur për çmimin 400.000 euro, duke pësuar dëme pasurore në shumë prej 200.000 euro”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në kohë dhe vende të njëjtë i pandehuri në atë mënyrë që i dëmtuari Xh.Sh., si pronar i ndërmarrjes hotelerie për shkak të obligimeve ndaj personave për fajde, është detyruar të blej nga një auto sallon në Prishtinë disa vetura në vlerë prej 500.000 euro në afat pagese prej dy muajve, të cilat vetura i ka shitur me çmimin 300.000 euro, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 200.000 euro me të cilat veprime ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer dy vepra penale fajdeja.

“Si dhe në fillimin e vitit 2020 në Prishtinë, me qëllim që t`i shmangen pjesërisht pagesës së tatimit për të përfituar rimbursimet tatimore, si bashkëpronar i një auto sallonit, në atë mënyrë që me rastin e shit-blerjes së veturave, pagesën e kanë bërë me para kesh, duke shënuar vlera jo të sakta të mallrave të shitura, të cilat para pastaj i kanë përdorur për kryerjen e veprës penale fajdeja, me çka kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shuma disa mijëra euro, me të cilat veprime ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale shmangia nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet ndër të tjera.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Të ngjashme