Gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë po i shtyn qytetarët të kërkojnë zgjidhje përmes fajdes.
Madje, është evidente që numri i fajdeve në vend po rritet dita-ditës.
Kështu thotë në një intervistë për Ekonomia Online ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi.
Maliqi theksoi se ka ende raste të shumta të cilat nuk janë raportuar në organet kompetente.
“Po, është e vërtetë se është evidente që numri i fajdeve po rritet dhe besoj se edhe të gjitha rastet nuk janë edhe të raportuara te policia, ende nuk ka edhe njohuri. Ekziston një numër i errët i këtyre rasteve, që qytetarët hezitojnë t’i raportojnë këto raste, por jemi të bindur se numër të fajdeve ka edhe më tepër. Një pjesë e madhe e njerëzve kanë hyrë në obligime të shumta dhe normalisht që nuk kanë mundësi që të marrin kredi në banka a të tjera, dhe e kanë humbur besimin edhe te miqtë edhe te shokët e tjerë. Dhe mënyra më e lehtë për të marrë para është me shku te fajdegjinjtë, me i kontaktuar ata”, tha ai.
Ish-drejtori thotë se gjendja e rëndë ekonomike po ndikon tek rritja e numrit të fajdes derisa përmendi edhe bizneset të cilat nuk kanë njohuri dhe trokasin tek fajdegjinjtë.
“Dhe përmes asaj, ata që bëjnë zgjidhje, po ata janë duke u thelluar edhe më shumë në problem dhe janë duke e humbur edhe krejt pasurinë. Po këto raste, vërtet edhe gjendja e rëndë, edhe gjendja ekonomike çfarë është, i ka shtyrë shumë prej atyre personave që të bëjnë zgjidhje. Kanë filluar biznese që s’kanë as njohuri as përgatitje për me zhvilluar një biznes të tillë dhe normalisht thellohen në obligime, dhe zgjidhja më e lehtë është me trokit në derën e fajdegjinjve”, theksoi Maliqi.
Maliqi, shtoi se janë pikërisht fajdegjinjtë ata që përfitojnë, derisa për personat që marrin para prej tyre tha se ka raste që i kanë shtyrë deri në vetvrasje.
“Po, paratë më së lehti që merren janë te fajdegjinjtë sepse atyre nuk ju intereson për shumën sa lypin, por atyre ju intereson interesi i mëvonshëm që ata e kërkojnë prej tyre. Dhe aty nuk ka… procedurat janë më të lehta për me i marrë, vetëm duhet me u paraqit, me trokit në derën e tyre dhe me i marrë paratë. Por normalisht që ajo faza tjetër e mëvonshme për ta është shumë e vështirë sepse ata bëjnë presione të llojllojshme atyre personave, deri te tërheqja apo kamata për të cilën kanë bërë një marrëveshje. E shumë prej rasteve i kanë shtyrë edhe të bëjnë edhe vetëvrasje, edhe, tash, t’ia marrin jetën edhe vetvetes”, theksoi ish-drejtori.
Ai këshilloi qytetarët që të mos trokasin në derë të fajdegjinjëve, duke shtuar se ka edhe zgjidhje të tjera
“Po unë kisha këshilluar që asnjë qytetar mos të troket në derë të fajdegjinjve dhe të kërkonte zgjidhjen e problemeve ekonomike përmes parave që i merr me kamata shumë të larta, me kamata jozyrtare, por të bëjnë përpjekje që të bëjnë zgjidhje tjetër. Mandej gjendja, gjendja e vështirë i ka detyruar ata persona që të bëjnë zgjidhje të atillë. Por në momentin që ata kanë presione, kanë kërcënime prej fajdegjinjve, i kisha udhëzuar që menjëherë t’i lajmërojnë institucionet e policisë dhe policia të ndërmarrë veprimet e veta, dhe gjykata atyre personave t’ju shqiptojë dënimin meritor”, shtoi Maliqi.
Të hënën, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një operacion policor të fokusuar në arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me fajden. Një i dyshuar u arrestua, kurse katër të tjerë ndodhen në arrati.
Të pandehurit dyshohen se detyruan viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur presion e dhunë. Dyshohen se i shkaktuan të dëmtuarit dëm rreth 700 mijë euro.
