Afër 45.000 gra dhe vajza u vranë në mbarë botën më 2021 nga partnerët e tyre, sipas UN Women. Kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara vlerëson se kjo shifër tregon se “bota po dështon të ndalë vrasjet që do të mund të shmangeshin përmes intervenimit të hershëm”.
Në Kosovë, në pesë ditët e fundit u vranë dy gra, dhe që të dyja dyshohet se janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.
Ngjarja e parë ndodhi në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë, kur një burrë u dorëzua në Polici, pasi dyshohet se vrau gruan e tij 63-vjeçare me sëpatë. Vrasja e dytë ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit, kur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u qëllua për vdekje një grua shtatzënë. Dorasi dyshohet se është bashkëshorti i viktimës, dhe nga të shtënat humbi jetën edhe fëmija i palindur.
Por, këto nuk janë rastet e para, e as të vetme të vrasjes së grave. Në Kosovë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010 janë vrarë 50 gra nga burrat, teksa dhuna në familje po ashtu ka shënuar rritje në vitet e fundit.
Vrasjet e lidhura me gjininë, femicid apo feminicide, përkufizohen si manifestimi më brutal dhe ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtet midis grave dhe burrave apo normave të dëmshme shoqërore.
Të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2021 flasin për 2.456 raste të evidentuara të dhunës në familje me 2.486 viktima.
Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.
Agjencia UN Women, më 25 nëntor, kur ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore” – që po organizohet edhe në Kosovë – ka publikuar pesë gjetjet kryesore të një raporti lidhur me atë pse vriten gratë dhe vajzat:
Sipas UN Women, afër 45.000 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë më 2021 nga partnerët e tyre apo nga anëtarët e familjes (përfshirë nga prindërit, xhaxhallarët dhe vëllezërit).
Kjo i bie që mesatarisht mbi pesë gra dhe vajza janë vrarë çdo orë nga ndonjë anëtar i familjes së tyre. Partnerët aktualë dhe ish-partnerët intimë, sipas gjetjeve, janë autorët më të shpeshtë të femicideve, pasi përbëjnë rreth 65 për qind të të gjitha rasteve që lidhen me vrasjet nga partnerët dhe pjesëtarët e familjes.
Numri i lartë i rasteve të vrasjeve nga bashkëshortët apo partnerët nënkupton se “bota po dështon të ndalë vrasjet që do të mund të shmangeshin përmes intervenimit të hershëm”, tha UN Women.
Sikurse të gjitha format e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave, femicidi është problem që prek çdo shtet në mbarë botën. Sipas raportit të UN Women, më 2021, Azia shënoi numër rekord të vrasjeve të grave nga partnerët e tyre dhe nga anëtarët e familjes, me rreth 17.800 viktima, pasuar nga Afrika me 17.200 viktima, 7.500 viktima u regjistruan në Amerikë, 2.500 në Evropë dhe 300 në Oqeani.
Nëse llogaritet popullsia e përgjithshme, të dhënat tregojnë se më 2021, 2.5 gra dhe vajza në 100.000 banorë janë vrarë nga parterët e tyre apo anëtarët e familjes në Afrikë, krahasuar me 1.4 në Amerikë, 1.2 në Oqeani, 0.8 në Azi dhe 0.6 në Evropë.
Përderisa UN Women tha se të dhënat e prezantuara janë jashtëzakonisht të larta, ato mund të mos jenë shifra reale, pasi shumë viktima të femicidit nuk regjistrohen. Sipas raportit, gjatë vitit 2021 katër në dhjetë vrasje ku viktima ishin gratë dhe vajzat, por që nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar nëse këto vrasje ishin të bazuara me gjininë.
Në shumë raste, vetëm vrasjet e grave dhe vajzave të kryera nga partnerët e tyre dhe familjarët klasifikohen si femicid. Por, agjencia e OKB-së tha se vrasjet e lidhura me gjininë ndodhin në shumë kontekste që shkojnë përtej sferës private. Ato mund të lidhen me dhunimin apo dhunën seksuale nga dikush që viktima nuk e ka njohur, mund të jenë të lidhura nga praktikat e dëmshme sikurse gjymtimi i organeve gjenitale femërore ose nga të ashtuquajturat vrasje të “nderit”.
Po ashtu, mund të ketë raste të femicidit që janë shkaktuar si rezultat i krimeve të urrejtjes të lidhura me orientimin seksual apo identitetin gjinor, por edhe me krime të kryera në konflikte të armatosura, apo nga bandat apo krime të kryera gjatë trafikimit me qenieve njerëzore.
Sa i përket grupeve të margjinalizuara, UN Women tha se ka më pak të dhëna. Për shembull, organizata për të drejtat e grave MundoSur ka analizuar të dhënat e ueb-faqeve të lajmeve në 12 shtete të Amerikës Latine dhe ka gjetur se vetëm njëri nga këto 12 shtete mbledh të dhëna nëse viktimat kanë qenë shtatzëna, dy shtete të tjera kanë mbledhur të dhëna për etninë e viktimave dhe tri shtete kanë të dhëna nëse viktima ka qenë migrante.
Por, pavarësisht të dhënave të kufizuara, të dhënat e ofruara nga Kanadaja dhe Australia sugjerojnë se gratë e grupeve indigjene janë shumëfish më të prekura nga vrasjet e lidhura me gjininë. Sipas të dhënave, vrasjet e grave dhe vajzave në Kanada më 2021 ishin pesë herë më të larta në mesin e grupeve indigjene.
OKB-ja porositi se për të parandaluar femicidin, mbledhja e të dhënave nga autoritetet është thelbësore, pasi kështu mund të identifikohen gratë dhe vajzat që janë më në rrezik dhe më pas autoritetet mund të krijojnë mekanizma më të mirë të parandalimit dhe të mbrojtjes së viktimave.
OKB tha se vrasja e grave dhe vajzave, por edhe krimet e tjera të lidhura me gjininë mund të parandalohen, pikë së pari përmes nismave parandaluese që përqendrohen në transformimin e normave të dëmshme shoqërore dhe të përfshirjes së komunitetit që të ketë zero tolerancë për dhunën ndaj grave. UN Women po ashtu tha se vlerësimet e rrezikut dhe intervenimet e hershme, por edhe mbikëqyrja policore dhe sistemi gjyqësor mund të parandalojnë këto krime.
Përvoja e Afrikës së Jugut, për shembull, sugjeron se ulja e rasteve të femicidit mund të arrihet përmes ligjeve dhe politikave gjithëpërfshirëse që synojnë parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave, ligjeve për kontrollin e armëve të zjarrit dhe aktivizmin për të drejtat e grave, tha OKB.
Megjithatë, UN Women tha se duhet më shumë hulumtim për të kuptuar se pse po rriten rastet e femicidit. Megjithatë, në raport u tha se organizatat për të drejtat e grave dhe vajzave luajnë rol në parandalimin e këtyre rasteve, pasi që nxisin ndryshimin e politikave, mbajnë përgjegjës qeveritë dhe ofrojnë shërbime kritike për të mbijetuarat e dhunës. Po ashtu, rritja e mbështetjes financiare e këtyre organizatave, sipas UN Women, do të ndikonte në uljen dhe parandalimin e rasteve të femicidit.