Besimtarët myslimanë në të gjithë botën sot po e festojnë festën e Kurban Bajramit.
Qytetarë të shumtë kanë shkuar në Xhaminë e Madhe në Prishtinë në të cilën është mbajtur manifestimi kryesor i faljes së Kurban Bajramit.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka dhënë mesazhin e festës në prani të shumë besimtarëve në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Myftiu Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë dhe kudo në botë për festën e Kurban Bajramit duke i porositur që t’i lënë anash inatet dhe mospajtimet me njëri-tjetrin.
“Kurban Bajrami njihet si festë pas kryerjes së Haxhit, vizitës së Qabes dhe vendeve tjera të shenjta dhe prerjes së kurbanit”, shtoi Tërnava.
Tërnava gjatë fjalimit të tij bëri thirrje që njerëzit të solidarizohen me njëri-tjetrin dhe të mos ndodhin fatkeqësi të ndryshme të cilat i bëjnë vetë njerëzit, raporton EO.
Ai kërkoi që femrat të respektohen më shumë pasi që të drejtat e gruas ende janë duke u përbuzur nga shoqëria jonë.
“Kurban Bajrami është festë, mësimet e së cilës nuk duhet lexuar vetëm në një ditë. Ato janë mësime që shërbejnë për ta ndërtuar jetën dhe përditshmërinë tonë. Fundja kush mund të thotë që nuk kemi nevojë për to, kur në mesin tonë ka ende vetëvrasje, vjedhje, keqpërdorim i pasurisë, shkelje e nderit të njeriut, është për t’u shqetësuar përderisa femra dhe të drejtat e saja ende përbuzen edhe në shoqërinë tonë”.
“Andaj duke pasë shkas këtë festë dhe mësimet e saj vazhdojnë të fillojë që nga sot në ndaljen e vrasjeve, të falim dhe të shtrijmë dorën e pajtimit, të solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe të ndihmohemi në motivin e të drejtave të femrës, ta marrim këtë festë si kampanjë në të cilën do grumbullohen këto vlera dhe të drejtat e femrës të garantuara nga i madhi Zot, ngase femra është shtylla e shoqërisë, është gjysma e shoqërisë, por edhe gjysmën tjetër të shoqërisë njerëzore e lindi femra”, tha Myftiu Tërnava.
Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme fetare të fesë myslimane e cila vjen pas kryerjes së njërës nga kushtet kryesore të Islamit, pas haxhit.
Simbolikë e kësaj feste është therrja e kurbanit, një ritual që i dedikohet solidaritetit me të varfrit, ku ata që kanë mundësi materiale duhet prerë kurban qe të gëzojnë të varfrit dhe familjet e tyre.
Besimtarët të cilët dolën ta falin Kurban Bajramin në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ishin të moshave të ndryshme.
Rrahim Begolli, edhe pse i shtyer në moshë, ishte njëri ndër besimtarët e pranishëm në këtë xhami për faljen e Kurban Bajramit. Ai u shpreh i lumtur rreth kësaj feste, të cilën e cilësoi si njërën ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.
Begolli tha se të gjithë besimtarët që kanë mundësi të prenë kurban, ta bëjnë këtë, raporton EO.
“Kurban Bajrami është festa më e rëndësishme për myslimanët dhe të gjithë ata që kanë mundësi të presin kurban”, tha Begolli.
Benjamin Tatari gjithashtu u uroi besimtarëve festën e Bajramit të Vogël.
“Urime të gjithëve Kurban Bajramin, ishalla vitin tjetër edhe më mirë”, tha ai.
Ndërsa Korab Hoxha, një tjetër i ri, tha se që nga ora 05:20 ka ardhur në Xhami të përgatitet për faljen e Bajramit.
“Kam ardhur në xhami në 05:20 me falë Bajramin, ua uroj të gjithëve besimtarëve myslimanë Bajramin, përhajër e me të gjitha të mirat e shëndet”, shtoi ai.