Auditori ka vërejtur se, të hyrat nga tatimi në pronë, sistemi softuerik i të cilave menaxhohet nga Departamenti Qendror i Tatimit në Pronë, pranë MF, kohëve të fundit është vazhdimisht duke iu nënshtruar ndërhyrjeve në sistem për të harmonizuar ndikimet nga falja e borxheve dhe si proces është mjaft sfidues.
“Tek një lëndë e një tatimpaguesi, në bashkëpunim me zyrën komunale të tatimit në pronë kemi hasur në shuma kundërthënëse sa është saldo e borxhit sipas sistemit dhe sa do duhej të ishte sipas kalkulimeve manuale. Fatura sipas sistemit ka gjeneruar borxh të mbetur rreth 800€, derisa sipas kalkulimeve tona del të jetë rreth 1,300€. Për kalkulimet manuale për tatimpaguesit tjerë, ne nuk mund të ofrojmë siguri për vlerën e paraqitur të llogarive të arkëtueshme nga tatimi në pronë”, thotë Auditori për Komunën e Prishtinës.
Po ashtu, auditori ka gjetur që, Komuna inkason të hyra nga taksat në biznes dhe shuma e inkasuar në këtë kod ekonomik është mjaft e vogël (83,887 euro), derisa në pasqyrat vjetore financiare nuk është paraqitur borxhi i pa mbledhura nga këto biznese.
“Ky shqetësim është komunikuar me menaxhmentin, por konsolidimet e duhura nuk janë bërë ende”, thotë tutje Auditori.
Nga kjo, Zyra e Auditorit ka shfaqur rrezikun që, paraqitja jo e saktë e shpalosjeve shpie në një keq pohim të pozitës financiare dhe llogarive, dhe në vitet në vijim, mund të ndikojë opinionin e auditimit.
“Pjesa e tatimit në pronë është mjaft e ndjeshme për qytetarët, dhe gabimet e tilla, mund të kenë ndikim financiar ndaj obligimeve të qytetarëve. Andaj, kryetari duhet të siguroj se për të arkëtueshmet e taksave në biznes krijohet një grup pune që në hollësi do të analizonte gjendjen e këtyre llogarive, ku do të shqyrtonte evidentimin, faturimin dhe mekanizmat e inkasimit në mënyrë që në të ardhmen komuna të ketë bazë të mjaftueshme ligjore për ndjekje të bizneseve të papërgjegjshme në pagesën e kësaj takse. Mangësitë e identifikuara në sistemin e tatimit në pronë të diskutohen me departamentin përkatës pranë MF në mënyrë që qytetarët të kenë një gjendje të saktë për obligimet tatimore ndaj komunës”, ra rekomanduar Auditori.