Vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë shprehur interesimin për të përfituar nga falja e borxhit publik, ndonëse bëhet një vit prej kur ka hyrë në fuq ligji që mundëson shlyerjen e afro 700 milionë eurove të periudhës 1999-2008.
Qeveria që menaxhon me procesin dhe institucionet e tjera, përfshirë ndërmarrjet publike, Administratën Tatimore dhe Doganën ende nuk kanë shifra të sakta për numrin e aplikuesve nga afro 200 mijë sa vlerësohet se kanë shansin të përfitojnë nga kjo amnisti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Meqë kanë mbetur edhe 10 ditë deri në mbylljen e afati ligjor, ato nuk kanë nxjerrë as konkluzione për shkaqet që kanë çuar në këtë refuzim. Ndryshe prej tyre, ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile fajësojnë Qeverinë që nuk ka përdorur formën e duhur për ta bërë këtë proces të suksesshëm.
Dhe ndërkohë që pritet të nxirren përfundimet për numrin e aplikuesve për falje dhe shkallën e shlyerjes së borxheve për periudhën 2009-2014, Ministria e Financave ka vlerësuar se institucionet janë përgjegjëse për veprimet dhe masat të cilat duhet t’i ndërmarrin në përputhje me rregullat dhe procedurat e lejuara për t’i mbledhur detyrimet nga qytetarët.