Nga Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Shtime, kanë bërë me dije se katër gjaqet e fala nga familja Ramadani ndaj familjes Musliu është ndërmjetësuar nga imamët, e jo nga kryetarët e komunave të Ferizajt e Shtimes.
Skender Baftiu, kryetar i këshillit të KBI’së për Gazetën Express ka thënë se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, si dhe kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, ishin vetëm për vizitë dhe jo ndërmjetësues, siç u raportua në media.
“Ata kanë qenë në ngushëllime, edhe ata kanë dhënë kontribut. Na kemi shku, unë nuk kam qenë kam qenë në Shqipëri. Në momentin që e kemi kuptu që ka ndodh aksidenti, kemi shku te familja me hoxhën e Ferizajt, Ibrahim Zeqirit, kemi kontaktu me ata dhe kemi bisedu pastaj kanë zgjedhë përfaqësuesit dhe vendimi i faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit është bërë përmes neve”, ka deklaruar Baftiu për Express.
Familja Ramadani ka falur sipas traditës katër gjaqet ndaj familjes Musliu, prej së cilës vjen drejtuesi i veturës së përfshirë në aksident.
Po ashtu është njoftuar se përveç të pamës që do të mbahet tre ditë tek familja Ramadani, po kaq ditë të pame do të mbajë edhe familja Musliu.
Për ngjarjen që tronditi gjithë vendin, Gazeta Express ka qëndruar sot në Shtime dhe nga atje sjell rrëfimet e axhës së kryefamiljarit, drejtorit të shkollës ku 10-vjeçari kishte vijuar mësimet deri në klasën e katërt dhe të kryetarit të Komunës Naim Ismajli. Të gjithë apelojnë për kujdes dhe vëmendje të shtuar në komunikacion.