Familja 8-anëtarëshe e veteranit të UÇK-së bëhet me shtëpi

Drenas | 27 Mar 2017 | 17:06 | Nga Bashkim Bekolli

Familja tetë-anëtarëshe e ish-ushtarit të UÇK-së, Fetah Dvoranit nga fshati Terstenik i Drenasit është bërë me shtëpi të re. Kjo falë donatorëve të cilët për një kohë të shpejtë arritën të grumbullojnë mjetet e duhura për të kompletuar shtëpinë që tani e tutje do të jetojnë anëtarët e kësaj familje.

Fetahu si kryefamiljar tregon për Ekonomia Online se që nga paslufta kanë jetuar në një shtëpi të improvizuar e cila nuk i ka plotësuar kushtet për banim.

Ai thotë se shëndeti i 6 fëmijëve është rrezikuar mjaftë, pasi që shtëpia e stërvjetëruar nuk ka poseduar as kushtet elementare për jetesë.

“E falënderoj Halil Kastratin, shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe të gjithë ata donatorë të cilët na e ndërtuan këtë shtëpi dhe tash e tutje do të bëjmë një jetë të lumtur. Në atë shtëpi ka pasur minj dhe insekte tjera. Shëndeti i fëmijëve është dëmtuar nga pluhuri dhe myku”, thotë Fetahu.

Halil Kastrati, drejtor i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, tregon se këtë familje e kanë vizituar edhe më parë, andaj kanë vlerësuar se duhet të kërkohet forma për t’i dalë në ndihmë.

Ai thotë se meremetimi i kësaj shtëpie ka kushtuar më shumë se 7 mijë euro, të cilat i kanë siguruar nga donatorë të ndryshëm.

“Kësaj familje i kemi ndihmuar edhe më parë. Kemi vlerësuar se duhet të bëjmë diçka ngase shtëpia ku kanë jetuar ka qenë e pabanueshme. Ne kemi kërkuar ndihmë nga donatorët të cilët janë përgjigjur dhe arritëm që të kompletojmë këtë shtëpi që tani e tutje familja e Fetahut të jeton në kushte normale”, thotë ai.

Kastrati apelon tek të gjithë ata që kanë mundësi të përkrahin nismat e tilla që kanë për qëllim zbutjen e varfërisë tek familjet me gjende të rënd socio-ekonomike.

Shtëpia ka tri dhoma, banjë dhe korridor, ndërsa falë bamirësve ajo është e mobiluar komplet dhe që nga sonte kjo familje do të ketë mundësinë të banojë në të.

Të ngjashme