Familja Ademaj kërkon nga institucionet që t’i lejojnë që trupi i Liridonës të rivarroset në vendlindje

Prishtinë | 02 Dhj 2023 | 22:15 | Nga Ekonomia Online

Familja e Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u vra me porosi nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ka një thirrje publike për institucionet e Kosovës që trupi i familjares së tyre të prehet në vendlindjen e saj.

“Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet”, ka shkruar Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, në një postim në Facebook.

Trupi i Liridona Ademajt u varros të premten në fshatin Cermjan të Gjakovës, nga vjen bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Por pas arrestimit të Murselit si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë ta zhvarrosin trupin.

“Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonën ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj”, ka shkruar Leonard Ademaj.

POSTIMI I PLOTË:

Përshëndetje,

Unë jam Leonard Ademaj, jam vëllau i Liridona Ademaj e cila është vrarë në mënyrë mizore.

Në emër të familjes ju falenderoj për ngushëllimet që na keni ofruar, për reagimet publike të mijëra njerëzve dhe për mbështetjen që na keni dhënë.

Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur.

Atë na e morën kriminelët dhe krejt çfarë duam ne është drejtësi.

Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet.

Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonen ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj.

Me respekt,
Familja Ademaj

Të ngjashme