Familjet e varfra afgane po i shesin fëmijët e tyre në përpjekje dëshpëruese për të siguruar të holla, pasi ardhja e talibanëve në pushtet u dha fund fondeve të huaja që e ndihmonin ekonominë e brishtë.
Reporterja e BBC-së, Yogita Limaye, udhëtoi në një fshat në perëndim të Afganistanit dhe foli me një nënë, e cila i tha se e ka shitur të bijën për 500 dollarë për të blerë ushqim për fëmijët tjerë.
Blerësi i fëmijës ishte një burrë i paidentifikuar, i cili pretendoi se do ta rriste vajzën për ta martuar me të birin, por nuk ka garanci për qëllimet e tij. Ai pagoi 250 dollarë fillimisht, shumë që mjafton për ushqimin e familjes për disa muaj, dhe do ta paguajë pjesën tjetër kur të vijë për ta marrë fëmijën posa të fillojë që të ecë, transmeton Gazeta Express.
“Fëmijët e mi të tjerë po vdisnin urie, prandaj u detyruam që ta shisnim të bijën. Si mund të mos jem e mërzitur? Ajo është fëmija im. Do të doja që të mos jem e detyruar për ta shitur”, i tha nëna afgane reporteres së BBC-së.
Vlera e valutës vendëse ka shënuar rënie, ndërsa çmimi i ushqimit është rritur e një pjesë e ndihmave ndërkombëtare janë ndërprerë. Familjet po detyrohen që të shesin gjithçka që kanë vetëm për të mbijetuar.
Gjendja është përkeqësuar edhe nga pandemia e koronavirusit, thatësia e trazirat politike dhe të sigurisë, duke e sjellë vendin buzë kolapsit.