Familja Dehari kërkon nga Haradinaj që ekspertiza të kryhet në Zvicër

Prishtinë | 04 Nën 2017 | 14:49 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në përvjetorin e parë të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, prindërit e tij kanë kërkuar edhe një herë që rasti të hetohet nga Instituti Zviceran për Mjekësi Ligjore.

Këtë ata e kanë kërkuar edhe nga kryeministri Ramush Haradinja. Një ekspertizë e tillë ishte refuzuar nga Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa me arsyetimin se shteti i Zvicrës nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Nëna e Astrit Deharit, Xhemilja ka deklaruar se do t’i besojnë ekspertizës zvicerane pasi vetë kanë hetuar atje për 20 vite dhe e dinë profesionalizimit atje.

Avni Dehari, babai i Astritit ka thënë se për rastin e tij kanë përgjegjësi qeveria e kaluar dhe ministria e drejtësisë e mandatit të kaluar.

“Ne e kemi shumë të qartë se çfarë ka ndodhur me Astritin është vrarë në burg dhe për këtë kemi shumë fakte megjithatë ne duhet të ndjekim rrugën ligjore. Hetuesit dhe qeveria e kaluar ka krijuar vetë mosbesim dhe për këtë arsye ne do të sjellim ekspertë nga jashtë nga Zvicra sepse e kemi besimin me të madh sepse kemi jetuar atje”, tha ai.

Avokati i familjes, Tomë Gashi,  ka përsëritur edhe njëherë mënyrën se si ka rrjedhur i gjithë rasti. Ai ka thënë se kjo kërkesë i është drejtuar kryeministrit Haradinaj sepse besojnë qe ky i fundit do të trajtoj rastin me ndershmëri më të madhe.

“Me rastin e obduksionit, ekspertë e pavarur kanë konstatuar se në trupin e tij ka pasur shenja dhune, ndërsa ka vdekur nga asfiksia e dhunshme, që me fjalë të tjera do të thotë se kemi të bëjmë me vrasje. Për këtë arsye familja Dehari ka zgjedhur institutin e mjekësisë ligjore në Zvicër, kërkesë e cila është refuzuar nga qeveria, me arsyetimin se Zvicra nuk është anëtare e BE-së. Unë kam bërë një kërkesë të re, drejtuar zyrës së kryeministrit Ramush Haradinaj, që shpresoj se do ta pranojë”, tha Gashi.

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë në Burgun e Prizrenit ku po mbahej nën dyshimin për terrorizëm me rastin e sulmit që ka ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës, me datën 4 gusht të vitit 2016-të.

Lëvizja Vetëvendosje, për ditën e nesërme ka paralajmëruar marsh protestues ”Drejtësi për Astritin”.

Të ngjashme