Familja e një gruaje 73-vjeçare, e cila u lëndua gjatë një ndërhyrjeje të policisë gjatë protestës së mbajtur të shtunën në Francë, ka vendosur të ndërmarrë veprime ligjore kundër autoriteteve shtetërore.
Gruaja e quajtur Genevieve Legay u rrëzua dhe e goditi me kokë një objekt të metaltë gjatë protestës së mbajtur në qytetin Nice. Incidenti, i cili është incizuar nga protestuesit dhe gazetarët, po hetohet nga prokuroria.
Legay ka pësuar thyerje të kafkës dhe gjakderdhje të brendshme. Ajo ndodhet në kujdes intensiv dhe jashtë rrezikut për jetë.
Familja e kësaj aktivisteje po planifikon që ta dorëzojë një ankesë për dhunë të qëllimshme nga personat e armatosur me autoritet publik ndaj një personi të dobët. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tyre.
Në anën tjetër, prokurori publik i qytetit Nice e ka hapur një hetim për ta përcaktuar shkakun e lëndimeve të gruas së moshuar.
Për herë të parë që nga fillimi i këtyre protestave, autoritetet Franceze dje i angazhuan edhe ushtarët për ta ndihmuar policinë dhe për ta ruajtur sigurinë. Prostuesit nuk kanë pasur të drejtë të mblidhen në qendrat e shumë qyteteve të mëdha.
Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar se rreth 40 mijë protestues kanë marrë pjesë në protestën e së shtunës, tetë mijë më shumë se javën e kaluar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.