Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe dhe shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e kanë pësuar edhe tre vëllezërit Qunaj në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, ku hajnat kanë bërë kërdi në shtëpitë e tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se tre vëllezërit kanë denoncuar në Polici se hajnat kanë vjedhur nga shtëpitë e tyre stoli të arit në vlerë prej mijëra eurosh, si dhe para të gatshme.
Vjedhja dyshohet se u krye gjatë kohës kur familja ishte në një aheng dhe shtëpitë kanë mbetur pa përkujdesje
Sipas deklaratave të tyre, të dhëna para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rasteve, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpitë dhe kanë kryer vjedhjen.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.