Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy familjare të policit të ndjerë L.H., janë larguar nga salla, duke pretenduar se ky gjykimi është shndërruar në cirk dhe nuk ka interes që të zbardhet e vërteta.
“Ky gjykimi është shëndrru në cirk dhe ne dalim nga ky gjykim se as nuk ka interes me u zbardhë e vërteta. Është hajgare me u kundërshtu termi vrasje, kur L., ka tri vite që ka vdekë, këtë nuk e pranojmë. Jeta e një polici në Kosovë, zero vlerë”, tha familjarja e L.H.
Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Reagimi i familjares së tani të ndjerit, në seancën e së hënës, erdhi pasi që i akuzuari Mehmeti kundërshtoi termin “për të vrarë” në pyetjen e parashtruar nga ana e mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua zyrtari policor Xhafer Berisha, i cili tha se pasi kishte ndodhur momenti kritik, i akuzuari Mehmeti kishte qarë gjatë gjithë kohës.
“Gjatë gjithë kohës, Fatlumi ka qarë, bërtitë, duke thënë çka më ndodhi mua, prej kësaj dite nuk jam njeri unë”, ka deklaruar dëshmitari Berisha.
Berisha tha se ka qenë në telefon kur e ka dëgjuar krismën nga ana e tij e djathtë dhe ka shikuar se çfarë ka ndodhur. Tha se aty e ka parë tashmë të ndjerin që kishte rënë në tokë, dhe në atë moment ka vrapuar drejt tij për t’i dhënë ndihmën e parë.
Po ashtu, Berisha ka thënë se distanca mes tij dhe Fatlumit e L., ka qenë rreth 1 deri në 2 metra dhe se nuk i kujtohet nëse këta të dy kanë biseduar apo jo para momentit kritik.
Kurse, i pyetur nga avokati Berisha nëse atë ditë kishte të shtëna të tjera, dëshmitari Berisha shfrytëzoi të drejtën të mos përgjigjet, pasi për atë rast është duke u zhvilluar një gjykim tjetër.
Dëshmitari po ashtu ka deklaruar se të akuzuarit Mehmeti nuk i ka parë armë as në dorë, as diku në trup, deri në momentin e shkrepjes së armës.
Po ashtu, Berishës iu prezantua një foto, ku shihet i akuzuari Mehmeti dhe dëshmitari në fjalë ku ia kishin drejtuar armën në kokë njëri-tjetrit, për këtë pyetje dëshmitari zgjodhi që të mos përgjigjet.
Dëshmitari tha se asnjëherë nuk ka dëgjuar për ndonjë ngatërresë të të akuzuarit Mehmeti, as me tani të ndjerin L.H., e as me ndonjërin prej kolegëve të tjerë dhe se të gjithë kanë pasur fjalë të mira për të.
Gjatë seancës, dëshmitarit Berisha i është prezantuar një skicë e vendit të ngjarjes nga prokurori Arben Hoti, përmes të cilës tregoi momentet e natës kritike.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.
Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.
Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.