Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Çerkini tha se mirëpresin iniciativën e kreut të Kuvendit, Kadri Veseli për krijimin e një Tribunali për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Çerkini shtoi se iniciativës se Veselit i janë gëzuar gjitha familjet, raporton Ekonomia Online.
“Jemi gëzuar për këtë iniciativë edhe ata që nuk janë këtu dhe që kanë shku e nuk dinë për familjet, duam edhe ju të jeni me neve dhe jo vetëm me vetveten, na thirrni kur është koha për të u ndihmuar”.
Çerkini kërkoi nga Veseli që të mos dënohen individ të caktuar serb, por i gjithë shteti i Serbisë për krimet e gjenocidin e kryer në Kosovë.
“Për ne është të dënohet shteti Serb dhe jo individ por tipik shteti serb, shteti i Kosovës duhet të di se në Kosovë ka pas gjenocid dhe të dënohet shteti serb, sepse krimet u kryen plotësisht me policinë dhe ushtrinë e organizuar”, tha ai.
Ai më tej ka shtuar se ankthi për familjet e të pagjeturve nuk po përfundon kurrë, raporton EO.
“Ne vuajtëm shumë dhe ende do vuajmë, por shpresat janë që mendohet se do bëhet një hap më i madh se deri tani, deri tash kemi thënë se nuk kemi mandate por sot nuk do të flas vetëm për djalin tim e familjen time, por 1647 persona të pagjetur. Dhimbja më e madhe është për familjarët kur trokit dikush në 12 të natës e ditës se mos po të vije fëmija”, tha Çerkini.
“Ne vazhdojmë ende me ankthe, me disa gjera që i kemi kërkuar, po kërkojmë të vërtetën dhe duam ta dimë se nëse ka ndodhë 100 fëmijë që u morën të gjallë dhe askush asnjë shkresë dhe as nuk u dënua për ta”, shtoi ai.
“Nuk është hera parë që ne bëjmë kërkesa, kemi bërë 6 kërkesa para 4 vjet, ato janë përshpejtimi i të pagjeturve nuk na lejuan ndërkombëtaret, të veprojnë mekanizmat që janë vendimtar për zbathjen e fatit e gjenocidin që ka ndodh të dal para drejtësisë, dialogu të vazhdojë në Bruksel për personat e pagjetur, përmirësimi i amendamenteve të ligjit për personat e pagjetur”.
Nysrete Kumnova nga Shoqata Thirrjet e Nënave, kërkoi institucionet që t’i përkrahin këto shoqata, por edhe që bashkësia ndërkombëtare të bëj presion mbi Serbinë për këto krime.
“Bëj thirrje të jeni me ne, bashkohuni ne rrugëtimin tonë të na u kthehen të dashurit tanë dhe bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë dhe të dalin para drejtësisë të marrin dënimin e merituar”, tha ajo.
Kumnova tregoi për ditën kur serbët ia rrëmbyen djalin, dhëndrin e shumë anëtarë të tjerë të familjes, raporton EO.
“Edhe pas 20 vite jam me shpresën që do me kthehen djali im Albioni i zhdukur vetëm pse ishte shqiptarë dhe donte të jetonte i lirë në jetën e tyre”.
“Shoqata jonë ka grumbulluar dëshmi e fakte mbi krimet e serbëve dhe i kemi botuar në librin monografik ‘E vërteta për krimet serbe’, kam ardhur për të dëshmuar dhe për të kërkuar dëshmi për bijat e bijtë tanë sot kam ardhur në emër të shoqatës në emër të nënave bëj thirrje të na përkrahni, jemi kategoria më e goditur nga lufta ne i dhamë të dashurit tanë për këtë vend”.