Gjykata e Lartë në Podgoricë ka dënuar Vllado Zmajeviqin me 14 vjet burg për krime luftë kundër popullatës civile në Kosovë.
Zmajeviq është shpallur fajtor për vrasjen e katër civilëve në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, në vitin 1999.
Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviq, në shpjegimin e aktgjykimit të tij, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se “vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata”.
Në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ta pranishëm ishin edhe pjesëtarë të familje së viktimave. Familjarët e të vrarëve janë shprehur të zhgënjyer me dënimin që i është dhënë Zmajeviqit , duke thënë se ky dënim prej 14 vjetësh nuk është drejtësi.