Agron Marmullaku ishte vrarë me armë zjarri në vitin 1991 në oborrin e një restoranti në qendër të Klinës. Nga të shtënat me armë ishte plagosur edhe shoku i tij, Haxhi Berisha. 26 vjet pas kësaj vrasje, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar.
Ndaj të dyshuarit Gjykata e Pejës caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Vëllai i të ndjerit Agron Marmullaku, Ragipi, ka rrëfyer për KALLXO.com rrethanat e këtij rasti, duke thënë se dorasi ishte Pjetër Gojani, për të cilin tha se qe 26 vjet ishte në arrati.
“Mëngjesin e 20 korrikut të vitit 1991, Agroni bashkë me shokun e tij, Haxhi Berishën, kanë qenë duke hyrë në restorant “Fontana” në Klinë. Pjetër Gojani ka qenë brenda bashkë me Lekë Berishën. Ai (Pjetër Gojani) ka dalë te dera dhe prapa shpinës e ka qëlluar për vdekje Agronin edhe e ka plagosur shokun e tij, Haxhiun”, tregon Ragip Marmullaku për KALLXO.com.
Siç tregon ai, pasi kishte shtënë me armë në drejtim të viktimave i dyshuari ishte larguar drejt Stacionit Policor të asaj kohe në Klinë.
“Ai (Pjetër Gojani) ka ikur në drejtim të Stacionit të Policisë. Aty ka hypë në një kerr edhe ka ikur për Shkup. 26 vite nuk kemi ditë ku gjendet, ka nejtë në arrati gjithmonë”, thotë Marmullaku.
Sipas tij, organet e atëhershme të Policisë Serbe ia kishin mundësuar ikjen të dyshuarit.
Në vitin 2003 ai thotë se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Pejës ndaj Pjetër Gojanit për vrasjen e vëllait më 1991.
Pjetër Gojani pas 26 viteve u arrestua nga Policia e Kosovës si person i dyshuar për vrasjen e Agron Marmullakut dhe plagosjen e Haxhi Berishës.
“As sot nuk e di pse e ka vra, kurrë nuk e kemi ditë askush. Nuk kemi pasur telashe as familjare as personale me dorasin dhe familjen e tij. As Agroni nuk ka pasur probleme me të. Hala s’e dimë pse e ka vra”, rrëfen Marmullaku.
Gjykata Themelore e Pejës përmes njoftimit për media njoftoi se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj personit të dyshuar për ketë vepër penale për të cilin kishte urdhër arrest vendor dhe flet rreshtim ndërkombëtar të lëshuar.
“Për shkak se i pandehuri ka qenë në arrati, ndaj të pandehurit është lëshuar urdhër arresti vendor, e me pas në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës është lëshuar letër rreshtimi ndërkombëtar dhe me datën 16.06.2017 i pandehuri është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe po atë ditë është sjell ne Gjykatë”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Themelore të Pejës.